Kosova

KFOR për situatën në Veri të Kosovës: Mbajmë qëndrim të paanshëm


Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR

Nga misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, kanë thënë se mbajnë qëndrim të paanshëm lidhur me situatën e krijuar në Veri të Kosovës, teksa shtojnë se komandanti i KFOR-it, gjenerali Franco Federici, është duke mbajtur kontakte me të gjitha palët.

KFOR-i përmes një video-incizimi në Facebook, ka njoftuar se i është përgjigjur zhvillimeve të fundit në Veri të Kosovës, me rritjen e patrullimeve përgjatë rrugëve të bllokuara dhe duke vendosur njësi në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“KFOR-i i drejtuar nga NATO ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të trafikut të prekura nga bllokimet e rrugëve dhe ka vendosur njësi në pikat e kalimit kufitar Jarinje dhe Bërnjak. KFOR -i mban një qëndrim të paanshëm, të fuqishëm, të shkathët dhe fleksibël për t’u marrë me të gjitha rastet e mundshme”, thuhet në njoftim.

“Gjenerali Federici gjithashtu mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e përfshira, për të kontribuar në një de-përshkallëzim të shpejtë”, vijon njoftimi.

Po ashtu, në njoftim theksohet se KFOR-i mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij, i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

Ndërkohë, e mërkura e 29 shtatorit është bërë dita e dhjetë që kur serbët në shenjë proteste ndaj vendosjes së reciprocitetit të targave kanë bllokuar rrugët në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Të hënën e 20 shtatorit, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.

Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa “RKS” t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë pesë euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore