Kosova

Këshilltari i Blinken-it, Kurtit: Të shtyhet afati për targat, “pa konfiskime apo gjoba”


Derek Chollet

Derek Chollet, këshilltar special pranë Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ka kërkuar shtyerjen e afatit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS, edhe atë “pa konfiskime apo gjoba”.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Chollet përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, ku njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në mënyrë që të shmangen tensionet.

“Fola sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të vendimit për targat e reja, pa konfiskime apo gjoba”.

“Gjithashtu, diskutuam edhe partneritetin dhe objektivat e përbashkëta për ta avancuar integrimin evropian dhe euro-atlantik të Kosovës”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, në cicërimën e shefit të qeverisë nuk përmendej askund se këshilltari amerikan i ka kërkuar shtyrje të vendimit.

I pari i ekzekutivit kishte njoftuar se me këshilltarin e Blinken-it bisedoi vetëm për raportin e World Justice Project, ku Kosova radhitet më lartë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duke falënderuar edhe për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-ve për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Me 1 nëntor skadon afati dy mujor. Kosova, sipas zotimit të saj, dhe vendimit në mbledhjen e qeverisë, duhet të fillojë konfiskimin e veturave me targa ilegale.

Ndryshe, Bashkimi Evropian dhe ShBA-të ende nuk kanë pranuar një përgjigje pozitive ndaj kërkesës për shtyerjen e afatit fillimisht për 12 muaj e më pas për 10 muaj nga autoritetet kosovare.

Përkundër kërkesave, Kurti ka thënë se shtyrja tashmë ka ndodhur dhe se qeveria do të vazhdojë me planin e vetë të operimit, derisa ka ftuar serbët serish të zëvendësojnë targat.

Por, shqetësimi më i madh i Perëndimit është de-eskalimi i situatës në këtë kontekst tejet të komplikuar në Evropë.

Qeveria s’e ka ndërmend ta shtyjë më afatin për targat – Kurti: Tashmë e kemi bërë shtyrjen

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore