Shqipëria

Këshilli i Investimeve: Informaliteti më i lartë se në vitin 2019, ligji për të ardhurat do ta rrisë më tej


Në lidhje me informalitetin në ekonomi, biznesi percepton se është më i lartë se në vitin 2019, paçka se është më i ulët se në vitin 2022.

Sektori energjetik – referuar një vrojtimi të Këshillit të Investimeve me 601 kompani – është ai që percepton më pak informalitet se sektorët e tjerë.

“Në një masë të konsiderueshme, biznesi pranon ekzistencën e informalitetit, më shumë se në vitin 2019, por më pak se në vitin 2022. Bujqësia, përpunimi, industria dhe shërbimet perceptojnë më shumë informalitet. Energjia percepton më pak informalitet krahasuar me sektorët e tjerë”, bëhet me dije.

Në një nga përfundimet e vrojtimit thuhet gjithashtu se informaliteti në kulmin e tij formal shfaqet si evazion fiskal, puna e paregjistruar dhe mosregjistrimi—një trend i ruajtur gjate viteve.

Sipas renditjes në anketë, taksat qendrore apo barra e përgjithshme fiskale është arsyeja kryesore që nxit informalitetin.

Ngjashëm, ligji i ri për të ardhurat perceptohet se do të nxisë edhe më tej rritjen e informalitetit.

“Faktori më i i rëndësishëm që promovon informalitetin është barra fiskale në nivel qendror, që ka zëvendësuar konkurrencën e pandershme që rezultonte në 2019-2022. Ligji  i ri mbi të ardhurat vazhdon të konsiderohet si një element që do të rrisë informalitetin në vend”.

Sakaq, gjetjet e Këshillit të Investimeve ndalen edhe te sfidat e biznesit edhe me produktivitetin dhe inovacionin.

“77% e kompanive po hartojnë strategji për të investuar në rritjen e produktivitetit”.

Kurse digjitalizimi është identifikuar si një faktor i rëndësishëm për mbarëvajtjen e komunikimit eficent me administratën tatimore dhe përmirësimin e shërbimit ndaj klientit.

Sipas vrojtimit, inovacioni dhe shpërndarja efikase e burimeve, veçanërisht në Kërkim dhe Zhvillim, shihen si prioritare për rritjen e konkurrencës së qëndrueshme dhe produktivitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore