Lajme

Karoline Edshtadler viziton Shkupin


Karoline Edshtadler, ministrja austriake për Evropë

Ministrja austriake për Evropë dhe për Çështje Kushtetuese të Austrisë, Karoline Edshtadler, këtë të mërkurë do të qëndrojë në Maqedoninë e Veriut për një vizitë zyrtrë, një ditote.

Nga Sekretariati për Çështje Evropiane njoftojnë se Edshtadler gjatë qëndrimit të saj në Shkup do të realizoj takim me Zëvendëskryeministrin për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiç, me fokus perspektivën e integrimit evropian të rajonit, marrëdhëniet me Bullgarinë dhe krizën e sigurisë.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Shkup, Edstadler do të takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski, kryeministrin Dimitar Kovaçevski, kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, ndërsa parashihet të takohet edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

“Austria është në zemër të Evropës dhe Maqedonia e Veriut është në zemër të Ballkanit. Unë dua që dy zemrat të bashkohen në BE”, kishte deklaruar Karoline Edstadler në vizitën e saj të fundit në Maqedoninë e Veriut në maj të vitit të kaluar.

Pas takimeve që ajo kishte realizuar me zëvendës kryeministrin, Nikolla Dimitrov ajo kishte dorëzuar edhe një sasi të vaksinave Pfizer, nga bashkimi Evropian.

“Duhet të kujdesemi për këtë pjesë të Ballkanit, e cila është shumë e rëndësishme për ne. Kemi bashkëpunim ekonomik, Ballkani Perëndimor është një qendër sigurie dhe pa të BE-ja nuk është e plotë. Kjo gjë nuk duhet të shprehet vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Prandaj u gëzohem vaksinav që vijnë nga BE”, kishte deklaruar ajo.

Ministrja austriake kishte theksuar se Austria ofron të jetë ndërmjetës midis Bullgarisë dhe Maqedonisë për të kapërcyer ngërçin, i cili do të zhbllokojë perspektivën evropiane të RMV-së.

“Nuk i kuptoj disa vende këtu që bllokojnë aspiratat e Maqedonisë, nuk e kuptoj Bullgarinë, por kemi besim të plotë në presidencën portugeze. Nuk e di të gjithë historinë, por e di se çfarë do të thotë të merresh me të kaluarën. Unë jam politikane që kujdesem për të ardhmen dhe perspektivën. Maqedonia e Veriut i përket Evropës dhe duhet ta përfundojmë atë proces. Dua që Maqedonia të shpërblehet për të gjithë hapat që ka ndërmarrë deri më tani”, kishte deklaruar ajo.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito.

Paraprakisht, në një dokument gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedono – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje.

Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Krerët e Maqedonisë së Veriut, megjithëse tentuan të zbusin tensionet, sërish u shprehën se nuk do të negociojnë për identitetin e tyre, pasi kjo bie ndesh me parimet themelore të vetë-përcaktimit dhe standardeve të BE-së.

Përfundimisht nga agjenda e Këshillit Evropian u hoqën edhe konkluzat për Ballkanin Perendimor më 18 dhjetor, pasi nuk kishte unanimitet te antarët e Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore