Kosova

“Kanë qenë themeltarë të UÇK-së”, Haradinaj për Fehmi dhe Xhevë Lladrovcin


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, kanë qenë themeltarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se janë shembull i pastër i idealit të luftëtarëve të lirisë.

“Ata u përballën bashkë me çdo sfidë, duke qëndruar të palëkundur deri në rënien e tyre heroike. Pata nderin që me Fehmiun e Xhevën të jemi bashkë në shumë momente kyçe të luftës për lirinë e atdheut”, shkroi Haradinaj në Facebook.

“Një prej këtyre momenteve ishte beteja e Qafë Mullarit, në ditën që ra Luani. Fehmiu dhe Xheva vazhduan me guxim luftën çlirimtare, duke qenë shtyllë e saj deri në rënien heroike, në vendin e tyre të dashur, në Drenicë”, ka treguar kreu i AAK-së.

Ndërsa Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Xhevë dhe Fehmi Lladrovci janë gardianët e përjetshëm të lirisë dhe Republikës së Kosovës.

“Sot shënojmë 26-vjetorin e rënies heroike të dy gjigantëve të historisë së kombit tonë, të cilët sakrifikuan gjithçka për lirinë që kemi sot. Ata ranë së bashku pikërisht në këtë ditë, të bashkuar edhe në përkushtimin e palëkundur për çlirimin e Kosovës”, tha Osmani, njofton zyra e saj për media.

Osmani ka potencuar se Xheva dhe Fehmiu, ishin më shumë se luftëtarë – simbole të shpresës dhe forcës për të gjithë ata që ëndërruan dhe dëshiruan një Kosovë të lirë dhe të pavarur.

“Trashëgimia që kanë lënë pas Xheva dhe Fehmiu i tejkalon kohët. Ata kurorëzuan veprimtarinë e tyre patriotike me aktin e heroizmi të rënies në krye të betejës”, shtoi e para e shtetit.

Ndryshe, Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator 1998, në një betejë të pabarabartë me forcat serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore