Lajme

Kancelari austriak Kurz hetohet për korrupsion


Kancelari austriak, Sebastian Kurz, ka konfirmuar të mërkurën e 12 majit se ai është nën hetim nga autoritetet antikorrupsion për akuza të rreme. Kjo, pas një deklarate në një komision parlamentar, pretendime që ai i mohoi.

Ka qenë vetë Kurz, i cili u tha ligjvënësve se hetimi nga Zyra e Prokurorit Ekonomik dhe Korrupsionit, është përqendruar në deklaratat që ai dha gjatë një hetimi parlamentar të përqendruar tek udhëheqësi i partisë të koalicionit me të. Kjo shkaktoi kolapsin e qeverisë së tij të mëparshme në vitin 2019.

Mediat austriake raportuan se Kurz sugjeroi që hetimi duhet të shkonte para një gjykatësi. Ai tha se nuk do të jepte dorëheqjen.

Komisioni parlamentar kishte hetuar të ashtuquajturën çështje “Ibiza”, e cila çoi në rrëzimin e nënkryetarit të atëhershëm Heinz-Christian Strache.

Kjo erdhi pas publikimit të një video, ku Strache shfaqej duke ofruar favore për një investitor të pretenduar rus në këmbim të mbështetjes për partinë e tij të djathtë ekstreme të Lirisë.

Supozohet se ishte regjistruar në ishullin spanjoll të Ibiza-s, pak para zgjedhjeve të Austrisë të vitit 2017.

Pas rënies së qeverisë, u mbajtën zgjedhje të reja dhe Kurz u rizgjodh. Këtë herë duke formuar një koalicion me të Gjelbrit.

Në deklaratat për komisionin parlamentar, Kurz tha se ai “gjithmonë u përpoq” t’u përgjigjej pyetjeve me vërtetësi, sa më mirë të ishte e mundur, por që shumë kishin të bënin me gjëra që kishin ndodhur “në periferi” vite më parë.

Gjithashtu tha se, sapo kishte mësuar për hetimin antikorrupsion dhe se ende nuk kishte biseduar me zyrën e prokurorit.

Shefi i stafit të Kurz, Bernhard Bonelli, është gjithashtu nën hetim, tha kancelari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore