Kosova

Kamberi: Vuçiçi sikurse Millosheviçi – Perëndimi ende s’ka gjetur alternativë


Shaip Kamberi

Deputeti nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Bashkimit Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk e kanë gjetur akoma një alternativë politike ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, derisa ka shtuar se ndikimi rus atje vijon të mbetet mjaft i madh.

Në një intervistë për “Albanian Daily News” deputeti shqiptar ka theksuar se ndryshimi cilësor në Serbi mund të ndodhë vetëm atëherë kur Perëndimi do t’i identifikojë dhe së këndejmi, do të bashkëpunojë me politikanët liberalë atje, derisa ka krahuar presidentin aktual me ish-udhëheqësin fashist të Serbisë, Sllobodan Millosheviç, posaçërisht në lidhje me politikën e jashtme.

“Ajo që është më e rëndësishme është realiteti se Perëndimi ende nuk ka gjetur alternativë ndaj Vuçiçit në Serbi. Perëndimi as që po punon për të ndërtuar një alternativë tjetër politike pro-evropiane. Vuçiçi e di mirë këtë, prandaj ai ka komoditetin për të balancuar presionin perëndimor”, ka theksuar ligjvënësi i vetëm shqiptar në parlamentin serb.

“Një ndryshim cilësor në Serbi mund të ndodhë vetëm kur Perëndimi identifikon dhe fillon të bashkëpunojë me një alternativë politike serbe që nuk ka dilemë në lidhje me orientimin evropian, kur të fillojë ta mbështesë dhe forcojë atë forcë politike. Vuçiçi, deri atëherë, sikurse Millosheviçi para tij, do të vazhdojë të balancojë politikën e tij të jashtme”.

E zgjedhjet e reja parlamenare në Serbi (17 dhjetor), sipas deputetit Kamberi, nuk do të ndryshojnë skenën politike në Beograd dhe nuk do të sjellin një qasje të re ndaj problemeve kryesore. Në fakt, sipas tij, zgjedhjet janë një mundësi për Vuçiçin për të blerë kohë për “tema të nxehta” sikurse Kosova, sanksionet kundër Rusisë dhe demokratizimi i brendshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore