Lajme

Kamberi: S’jemi të interesuar për asnjë pozitë në qeveri – avancimi i të drejtave të shqiptarëve është interesi i vetëm


Shaip Kamberi

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, njoftoi se në kuadër të konsultimeve për themelimin e qeverisë së re të Serbisë, takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ku prezantoi një gamë të gjerë të kërkesave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës – Preshëve, Medvegjë dhe Bujanoc.

Takimi midis Kamberit dhe Vuçiçit nisi mëngjesin e së hënën, përkatësisht në orën 08:30 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Serbisë në Beograd. Kamberi, në zgjedhjet e fundit parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë që u mbajtën më 17 dhjetor 2023, fitoi një ulëse në legjislativin serb nën slloganin “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”.

E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë ripërsëriti se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nuk janë të interesuar për asnjë pozitë në nivel qëndror, por konsideroi se avancimi i të drejtave të shqiptarëve që banojnë kryesisht në pjesën jugore të Serbisë është interesi i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal.

“Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë”, shkroi Kamberi, derisa listoi një varg çështjesh që, sipas tij, duhet të jenë prioritet i Qeverisë së Serbisë nën drejtimin e Partisë Progresive Serbe (SNS), duke filluar nga zgjidhja urgjente e rastit të mjekëve të diskriminuar në Preshevë, deri te integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në policinë shtetërore serbe.

“Diskutuam edhe për nevojën e privatizimit të Banjës së Bujanocit, rritjes së investimeve në nivel lokal dhe ndaljen e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Shkollat në gjuhën shqipe dhe përmirësimi i infrastrukturës do duhej të jenë agjendë e qeverisë së re ndërsa riemërimi i shkollës në Bilaç në Ismail Kadare do duhej të siguronte qasje konstruktive të ministrisë”.

“Diplomat kërkojnë zgjidhje urgjente. Nga kjo varet edhe avancimi i pozitës së shqiptarëve dhe sigurimi i një perspektive më të mirë për të gjithë. Institucionet shtetërore në nivel lokal duhet të hapin dyert për integrimin e shqiptarëve. Mbyllja e tyre nënkupton përjashtim të popullësisë shumicë në Luginë të Preshevës”, shtoi ndër të tjera zëri politik i shqiptarëve në Serbi.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar bënë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara, veçanërisht mbi votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të rajonit.

Lista e SNS-së “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet” fitoi 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, kurse lista e opozitës së bashkuar pro-evropiane rreth koalicionit “Serbia kundër dhunës” fitoi 65 mandate. Parlamenti i Serbisë përbëhet nga 250 deputetë dhe prej tyre nevojiten 126 për ta formuar qeverinë e re nën një mandat katër vjeçar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore