Kosova

Kamberi falënderon Osmanin e Kurtin për mbështetje: Beteja vazhdon duke u përballur me Qeverinë serbe në Beograd


Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, i cili në zgjedhjet e së dielës u rizgjodh deputet i Kuvendit të Serbisë, ka falënderuar për mbështetje presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti, derisa ka shtuar se “dorëzimi nuk është opsion”.

“Mirënjohje të veçantë për mbështetjen e pashoq të kryeministrit Kurti, presidentes Osmani e ministrave e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Faleminderit kryetarëve të komunave. Partive opozitare kosovare e botës akademike e intelektuale në thirrjet për pjesmarrje në zgjedhje të shqiptarëve në Luginë”, shkroi ai në Facebook.

Po ashtu Kamberi ka falënderuar edhe presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për siç ka thënë “sensibilizimin e votuesve të Luginës”.

“Po ashtu, anëtarëve shqiptar të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, partive politike, e kryetarëve të komunave shqiptare në Maqedoni për përkrahjen. Secili në mënyrën e vet ka kontribuar në fitoren tonë.  Përulja e falënderimi më i madh për çdo shqiptar të Luginës që me votë ka treguar se Beteja Politike me patjetër duhet të vazhdojë”.

Kamberi ka potencuar se beteja do vazhdojë, duke e përballur Qeverinë në Beograd me diskriminimin ndaj shqiptarëve, duke potencuar se “lufta politike s’do ndalet, deri në fitoren përfundimtare”.

Në zgjedhjet qendrore të Serbisë, kanë marrë pjesë 18 lista zgjedhore, dy prej të cilave janë koalicione të partive shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci – “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”. Megjithatë, ka pasur kritika për përçarjen e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve.

E të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa janë mbyllur në orën 20:00 në mbrëmje. Nuk dihet ende pjesëmarrja e saktë e qytetarëve në zgjedhje.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore