Lajme

Josep Borrell/ Dinamika e Ballkanit Perëndimor duhet ndryshuar


Në një artikull që u publikua të premten e e 21 majit Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë si dhe Nënkryetari i Komisionit Evropian bëri një analizë të situatës së Ballkanit Perëndimor.

“Të martën”, shkruan ai, “së bashku me Komisionerin Várhelyi, pata një darkë joformale me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”. Sipas tij, në muajt e fundit, është parë një frustrim nga ana e tyre ndaj BE-së dhe një përhapje e retorikës nacionaliste, shpeshherë përçarëse.

“Në Këshillin tonë të fundit të Punëve të Jashtme, Ministrat e Jashtëm të BE-së ranë dakord mbi nevojën për të rritur përpjekjet tona për ta sjellë rajonin më pranë Bashkimit Evropian”, shkruan Borrell.

Në takim ai kishte ftuar Presidentin e Malit të Zi Đukanović, Kryeministrin e Shqipërisë Rama, Kryeministrin e Serbisë Brnabić, Kryetarin e Këshillit të Ministrave Tegeltjia të Bosnjës dhe Hercegovinës, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zaev dhe Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të Kosovës për të diskutuar mbi situatën në rajon.

Komisioneri Várhelyí, i ngarkuar me procesin e pranimit, gjithashtu iu bashkua diskutimit.

“Ishte e rëndësishme të riktheheshim me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në një mjedis joformal, pasi rajoni është edhe një herë në një udhëkryq për sa i përket integrimit evropian”, thotë më tej Borrell.

Borrell dhe takimi me Liderët e Ballkanit Perëndimor

Borrell shkruan se që nga viti 2017, është bërë zakon mbajtja e takimeve të tilla dy herë në vit, por që nga fillimi i mandatit të tij, nuk ka qenë e mundur për shkak të pandemisë COVID-19.

“Doja të bisedoja me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor hapur dhe jozyrtarisht në lidhje me shqetësimet dhe propozimet e tyre për rajonin dhe të ardhmen e tij evropiane, si dhe një qasje më strategjike ndaj politikës së jashtme evropiane”, sqaron ai.

Ai kujton se mbetet gjithashtu i etur që të ndërtojë një marrëdhënie personale me ata liderë që kanë nevojë për hapësirë ​​për të punuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, me Bashkimin Evropian dhe midis tyre.

Sipas Borrell ishte e rëndësishme të demonstrohej angazhimi i BE-së me rajonin në një nivel politik, përtej zgjerimit. Sidoqoftë, Borrell thotë se diskutimi tregoi qartë se zgjerimi është tema, pothuajse ekzistenciale, e cila bashkon rajonin.

“Të gjithë udhëheqësit deklaruan se ata kanë zgjedhur të vendosin integrimin në BE në krye të agjendave të tyre dhe investuan kapital maksimal politik për të afruar njerëzit në rajon më pranë BE-së”, pohon Borrell.

Ai kujton prejardhjen e tij duke kujtuar se vjen nga një vend që filloi të lulëzojë në vitet kur përgatitej për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Borrell shkruan se e di se si BE-ja mund të shërbejë si një magnet dhe të ndihmojë vendet të rimëkëmbet, të rriten dhe të prosperojnë.

Duhet parë vetëm një hartë për të kuptuar se sa Ballkani Perëndimor është përfshirë në BE, siç e tha të martën një udhëheqës.

Sakaq, sipas Borrell BE-ja është partneri kryesor tregtar për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me pothuajse 70% të tregtisë totale të rajonit. Më tej ai shkruan se gjatë 10 viteve të fundit, tregtia jonë është rritur me pothuajse 130%. Ndërsa, eksportet e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së janë rritur me 207%. Në vitin 2018, kompanitë e BE-së përbënin mbi 65% të investimeve të huaja direkte në rajon.

“Sidoqoftë”, kujton Borrell, “duhet pak njohuri për historinë evropiane për të kuptuar pse rajoni mbetet i brishtë dhe procesi i integrimit në BE, kompleks.

Kompleksiteti i Ballkanit Perëndimor

Në Ballkan ishte vendi ku filloi Lufta e Parë Botërore në 1914 dhe ishte gjithashtu në Ballkan që lufta dhe gjurma e saj e vdekjes e shkatërrimit u kthye në tokën Evropiane në vitet 90-të, pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes të ish Jugosllavisë.

“Përveç historisë së vështirë të rajonit vjen loja e ‘perandorive të reja’ aspirante, me Rusinë dhe Kinën që përpiqen të rrisin fuqinë e tyre dhe të dobësojnë BE-në”, shton Nënkryetari i Komisionit.

Borrell shkruan se këto luftëra lanë plagë të thella që janë ende larg shërimit, pavarësisht nga koha e kaluar që nga Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995 për Bosnjë dhe Hercegovinën dhe armëpushimi i vitit 1999 midis Serbisë dhe luftëtarëve të Pavarësisë Kosovare.

“Politika e identitetit po lulëzon në rajon dhe ne shohim ide të rrezikshme për riformimin e kufijve përgjatë vijave etnike. Narrativa të tilla janë krejt e kundërta e asaj për të cilën qëndron integrimi evropian”, analizon Borrell.

“Kohët e fundit”, sipas tij, “pandemia dhe pasojat e saj ekonomike dhe sociale e kanë përkeqësuar situatën, përkundër përpjekjeve të BE-së dhe vendeve anëtare të saj, të cilët kanë mobilizuar 3.3 miliardë euro për të ndihmuar rimëkëmbjen e rajonit përmes iniciativës Team Europe dhe do të shpërndajnë 651 mijë vaksina COVID-19 nga muaji gusht, me e veçantë të Austrisë.

Në funksion të këtyre zhvillimeve, Josep Borrell vendosi Ballkanin Perëndimor në agjendën e Këshillit të fundit të Punëve të Jashtme.

“Ishte hera e parë që nga viti 2018 që ndodhi një diskutim i tillë. Ministrat e Jashtëm shprehën shqetësimet e tyre rreth “humbjes së rajonit” dhe theksuan vendosmërinë e tyre për t’u angazhuar në afrimin e Ballkanit Perëndimor me të ardhmen e tij Evropiane. Ne ranë dakord që kur Ballkani Perëndimor të mbajë fjalën, ne duhet të bëjmë pjesën tonë”, shkruan Borrell.

Hapa të prekshëm përpara

Borrell u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin Konferencat e para Ndërqeveritare mbi pranimin në BE në muajin qershor dhe po kështu edhe Serbia dhe Mali i Zi. Sa i takon liberalizimit të vizave me Kosovën, Borrell sqaron se ka kaluar shumë kohë: vendi ka përmbushur të gjitha kriteret e lidhura dhe tani BE-ja duhet të bëjë hapa përpara për këtë çështje.

“Unë do ta mbështes plotësisht këtë. Unë gjithashtu do të mundësoj një takim tjetër të nivelit të lartë të dialogut mes Beograd-it dhe Prishtinës në muajin qershor. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme midis Serbisë dhe Kosovës është vonuar gjithashtu”, thotë Borrell.

Sipas Borrell thirrja e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor ndaj vendeve anëtare ishte e qartë.

“Bëni përpjekje për të lexuar hartën dhe historinë e Ballkanit, përpiquni të na kuptoni më mirë dhe planifikoni për një të ardhme të përbashkët brenda Bashkimit Evropian”.

Borrell vlerësoi sinqeritetin e udhëheqësve për të gjitha këto tema.

Angazhimi i BE-së ndaj rajonit do të vazhdojë gjatë Këshillit të Qershorit, Samitit të Procesit të Berlinit në korrik dhe Samitit të Ballkanit Perëndimor të BE-së në tetor. Borrell shpreh vullnetin se nga ana e tij, do vazhdojë të jetë plotësisht i përfshirë me rajonin dhe se planifikon të vizitojë rajonin në korrik nëse pandemia COVID 19 do e lejojë këtë.

“Kësisoj, viti 2021 duhet të jetë viti i përparimit për marrëdhëniet në të gjitha fushat midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”, shkruan Borrell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore