Kosova

Dorëhiqet kryetari i degës më të madhe të VV-së në Drenas: U punësuan njerëz në institucione në mënyrë të pandershme


Naim Qorri

Naim Qorri, Kryetar i Degës më të madhe të Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, për shkak të pakënaqësive që ka pasur me udhëheqësit e degës së VV-së në këtë qytet, posaçërisht sa i përket disa punësimeve, për të cilat ka thënë se janë bërë në mënyrë të pandershme.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Qorri, përmes një postimi në Facebook, duke njoftuar se ka dhënë dorëheqje bashkë me dhjetëra delegatë dhe aktivistë të degës së VV-së në Drenas, për të cilët pohoi se kanë kontribuar me të gjithë potencialin e tyre në VV.

“Me këtë shkrim, ju njoftoj për dorëheqjen time nga Lëvizja VETËVENDOSJE! Pas një rrugëtimi të gjatë si aktivist, marr këtë vendim në shenjë zhgënjimi dhe mospajtimi me zhvillimet e fundit në Qendrën e Lëvizjes në Drenas”, shkroi fillimisht Qorri.

Për të gjithë situatë, fajtor kryesorë, sipas tij, janë deputeti Enver Dugolli dhe Kryetarja e degës së VV-së në Drenas, Egzona Tërdevci.

“Kohët e fundit, kemi përjetuar situata të padurueshme, aspak demokratike dhe denigruese nga udhëheqja e qendrës sonë, veçanërisht nga Qendra në Prishtinë me në krye Enver Dugollin. Kryetarja Egzona Tërdevci, që nga ardhja e saj në krye të degës sonë, ka instaluar një sjellje jo të shëndetshme në lëvizje, dhe së bashku me Enver Dugollin kanë punësuar individë në ndërmarrje publike dhe ministri të ndryshme në mënyrë të pandershme”.

“Këta dy individë morën degën me 6000 vota në zgjedhjet qendrore, dhe për herë të parë morëm pesë asamblistë në zgjedhjet lokale. Megjithatë, për shkak të mos trajtimit të duhur të kërkesave, dy prej tyre tashmë nuk janë më pjesë e Lëvizjes”, shtoi.

Qorri renditi edhe disa gjëra për të cilat tha se Egzona Tërdevci dhe Enver Dugolli mbajnë përgjegjësi.

“Humbjen e imazhit të degës dhe mbi 70% të anëtarësisë; Manipulimet me punësime në ndërmarrje publike dhe emërime politike të personave jo meritorë; Mos trajtimin e kërkesave të kryesisë, që ka sjellë humbjen e dy asamblistëve të votuar në Lëvizje, duke lënë vetëm tre nga pesë që kishim, dhe një prej tyre është gjithashtu në dilemë;”.

“Ndikimin e tyre në pronat publike të Drenasit, që janë dhënë në shfrytëzim tek të afërmit e ish-asamblistit të VV-së, përfshirë Stacionin e Trenit; Mosfunksionimin e zyrës në Drenas dhe mungesën e aktivitetit koherent”, renditi ai përgjegjësitë e kryetares së degës dhe deputetit të VV-së.

Qorri potencoi se Egzona Tërdevci erdhi në krye me aklamacion dhe “favorizon një grup të ngushtë individësh, duke linçuar dhe distancuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e tjerë”.

“Jam krenar për shërbimin tim në pozita drejtuese, si Kryetar i Degës në Drenas, Administrator i Qendrës, gjithmonë pjesë e Shtabit zgjedhor dhe si kandidat për Asamble në Drenas”.

Në fund, Qorri ka falënderuar aktivistët, anëtarët dhe simpatizantët e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunimin gjatë gjithë kohës.

“Angazhimi im politik do të jetë në shërbim të qytetarëve të Drenasit, duke përfaqësuar interesat e tyre me dinjitet”, përfundoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore