Italia me ‘golden goal’ siguron kalimin e grupit, Kroacia thuajse e eliminuar

Vitjon Nina
24.06.2024 23:17
Loading Icons...

Sa vuajtje për Italinë për të kaluar me sukses fazën e grupeve, ku vetëm një gol në minutën e fundit të takimit, arriti t’i shpëtojë fushatën e Euro 2024 të kaltërve dhe t’i çojë ata përpara.

Mbyllet me rezultatin 1 me 1 kundër Kroacisë ndeshja e fundit e grupit B, në të cilin bën pjesë edhe Shqipëria (kjo e fundit u mund 0 me 1 nga Spanja dhe eliminohet si e katërta e grupit),

Një barazim i artë për italianët dhe krejtësisht dëshpërues për kroatët, të cilët për minuta të tëra e panë veten të kualifikuar, e më pas thuajse të sigurt drejt eliminimit, pasi sigurojnë vendin e tretë në grup me vetëm dy pikë.

Për këtë paraqitje të dobët duhet të “falënderojnë” edhe kuqezinjtë e Shqipërisë, të cilët i ndalën kroatët në një barazim 2 me 2 ndeshjen e shkuar.

Azzurri-t e Italisë e patën ndeshjen ndaj Kroacisë nën kontroll, me këta të fundit që mbanin topin pa rrezikuar dhe me apeninasit, të cilët kërkonin sporadikisht golin.

Gjithçka do të kthehej përmbys në minutën e 55-ë, kur pas një penalltie të fituar, Modric do të gabonte nga pika e bardhë, por do të rikuperonte vetë topin dhe do ta hidhte pas krahëve të Donnaruma.

Duke parë se Shqipëria po mundej nga Spanja, kroatët mbanin përkohësisht vendin e dytë.

Italianët menjëherë nisën ofensivën e tyre, por nuk po arrinin të shënonin.

Shpresa e tyre varej në tetë minutat shtesë të dhëna dhe pikërisht aty erdhi goditja vrastare për Kroacinë.

Një hap galopant i Calafiori tejkaloi çdo pengesë të mundshme në mesfushë, ai e jep topin te Zaccagni, i cili të kujton goditjen e famshme të Del Pieros me Italinë në gjysmëfinale kundër Gjermanisë gjatë botërorit të vitit 2006, po në Gjermani të zhvilluar, dhe çon topin në trekëndëshin e djathtë të portës, duke kualifikuar italianët me shumë vuajtje e lot gëzimi.

Tabela përfundimtare e renditjes sheh Spanjën fituese të grupit me 9 pikë, Italia e dyta me 4 pikë, Kroacia e treta me 2 pikë dhe mbyll renditjen Shqipëria në vend të fundit, me 1 pikë.

Të fundit

Aktuale