Kosova

Themeluesit e LDK-së: Isa e shkatërroi partinë


Rezultatet e dobëta të zgjedhjeve të së dielës në Kosovë e lanë Lidhjen Demokratike të Kosovës, pa kryetar.

Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa dha dorëheqje të hënën pasdite pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së.

Arsyeje kryesore e largimit të tij është rezultati i dobët i partisë.

“Personalisht mendoj që rezultati është shumë i keq dhe nuk e kam pritur fare, duke marrë parasysh takimet në terren dhe fushatën e Hotit”, tha Mustafa në konferencë për media.

Megjithatë, largimi nga partia e ish-kreut të LDK-së, për ish-themeluesin e kësaj partie Jusuf Buxhvi është i vonuar.

Buxhovi tha për Albanian Post se “dorëheqja e Isa Mustafës ishte e natyrshme, por pak e vonuar. Dorëheqja e tij nuk mjafton si dorëheqje”.

“Duhet të ndërrohet komplet kryesia e LDK-së. Zgjedhja ma e mirë është që të emërohet një këshill i përkohshëm dhe të ketë zgjedhje të reja”.

Sipas Buxhovit, “Isa Mustafa ka qenë problemi ma i madh i LDK-së, ai i ka humb disa zgjedhje me radhë”.

“Proceset nëpër të cilat ka kaluar LDK-ja nga zgjedhja në zgjedhje kanë emërues të përbashkët qëndrimin e Isa Mustafës dhe përpjekjet e tij që ta mbajë LDK-në të kapur me feudet e tij është fajtori kryesor që LDK e ka dërguar në këtë gjendje”, tha Buxhovi.

Edhe për themeluesin tjetër të LDK-së, Milazim Krasniqin, Mustafa është “shkatërruesi” i kësaj partie.

“Ardhja në krye të LDK-së që s’kishte lidhje me këtë parti rezultuan me eliminime brenda partisë, me përjashtime dhe pa aftësinë e tij për reforma”.

Madje “fajtor” për radhitjen e LDK-së si e treta në zgjedhjet e fundit, Krasniqi e sheh Mustafën e jo kandidatin për kryeministër Avdullah Hotin.

“Përgjegjësia direkt është e Isa Mustafës dhe kryesisë së LDK-së. Avdullah Hoti ka bërë përpjekje për të qeverisë dhe për të lënë përshtypjen e një figure korrekte dhe unë besoj që ai ka punuar në mënyrë korrekte, por ai nuk është për lider të LDK-së, mund të jetë një ministër i mirë, por jo një lider”.

Megjithatë, profesori universitar mendon që LDK mund të rikthehet në skenën politike.

“Por për këtë i mungon një lider”, thotë Krasniqi.

“LDK nëse gjen figura që ta ri-motivojnë elektoratin ata munden që të rikthehen, por nëse vazhdojnë kështu do të përfundojnë siç kanë përfunduar edhe disa projekte tjera politike në Kosovë që kanë pas kontribute të mëdha në të kaluarën, por që pastaj kanë dalë nga skena politike”.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka fituar në asnjë komunë, si dhe ka pësuar disfatë edhe në komunat ku udhëheqin zyrtarë të këtij subjekti politik.

Në këto zgjedhje, LDK-ja konsiderohet të ketë shënuar humbjen më të thellë ndonjëherë.

Në numërimin e 99.23% të votave, LDK-ja radhitet në vendin e tretë me 102 mijë e 959 vota apo 13,08%

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore