Kosova

Haradinaj: Të niset një mision i përbashkët diplomatik për ta informuar botën për sulmin ushtarak ndaj Kosovës


Ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj, ka thënë se instiutcionet e Kosovës duhet t’i informojnë shtetet anembanë botës për agresionin ndaj Kosovës më 24 shtator ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Të nisin një mision të përbashkët diplomatik për të informuar shtetet anembanë botës me informata kredibile dhe konfidenciale – duke kërkuar që Serbia të mbahet përgjegjëse për krimin e agresionit të ushtruar ndaj Kosovës, dhe duke kërkuar zvogëlimin e asimetrisë ekzistuese ndërkombëtare ndaj Kosovës në dialog, në mënyrë që të hapet përfundimisht rruga për paqe, stabilitet, dhe normalizim në Ballkan”, ka shkruar ajo në platformën X.

Sipas kryediplomates kosovare, vetëm kërkimi i përgjegjësisë penale ndërkombëtare ndaj Serbisë do të zvogëlojë vetëbesimin dhe agresivitetin alarmant të saj kundrejt shteteve fqinje.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi. Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore