Kosova

Intervistë me ish-kryediplomatin kroat, Miro Kovaç: Duhet një zgjidhje që realizon interesat e Kosovës dhe përmbush pritjet e ShBA-së/BE-së


Situata në Veri të Kosovës, sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Miro Kovaç, do qetësohej vetëm nëse Serbia do e njihte Kosovën si shtet të pavarur.

Kovaç në një intervistë për Albanian Post, thotë se është i vetëdijshëm që është një vendim jo i lehtë për Beogradin, por këtë e sheh si zgjidhje afatgjate.

“Çelësi për zgjidhjen afatgjate të çështjes së serbëve në veri të Kosovës qëndron në gatishmërinë e Serbisë për të pranuar realitetin dhe për të njohur pavarësinë e Kosovës. Ky është sigurisht një vendim shumë i vështirë për t’u marrë”, thotë Kovaç.

Për këtë çështje, ish-kryediplomati kroat, që ka doktoruar si historian, bën një analogji mes Austrisë dhe Serbisë, teksa shpjegon se njohja dhe pranimi i pavarësisë së Kosovës nga Beogradi do ta bënte më të lehtë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

‘Imagjinoni sa e vështirë dhe e dhimbshme duhet të ketë qenë për Austrinë të pranojë që Tiroli i Jugut ra në duart e Italisë pas Luftës së Parë Botërore. Pasi ky parim të jetë pranuar dhe ‘tretur’ nga Serbia, do të jetë shumë më e lehtë të themelohet një Asociacion i Komunave me një Shumicë Serbe në Kosovë”, shtoi Kovaç.

Ai e ka komentuar edhe propozimin e kryeministrit Albin Kurti  që Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO), i cili tubon komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë, të jetë si model për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, erdhi pas konsultave të Qeverisë së Kosovës me atë të Kroacisë.

“I takon Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një konsensus dhe të përcaktojnë se cilat do të jenë kompetencat e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe. Në rastin e Kroacisë, Këshilli i Përbashkët i Komunave nuk është një njësi administrative autonome. Kushtetuta e Kroacisë garanton lirinë e anëtarëve të të gjitha pakicave kombëtare për të shprehur kombësinë e tyre, për të përdorur gjuhën dhe shkrimin e tyre dhe për të ushtruar autonomi kulturore”, ka shpjeguar ai.

Kovaç, teksa ka komentuar zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës dhe “ultimatumin” që ka marrë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga dyshja e top-diplomatëve Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak për shtensionim të situatës, potencon se “është në dorën e popullit të Kosovës që të zgjedh zyrtarët e saj”.

“U takon zyrtarëve të zgjedhur të përcaktojnë interesat kombëtare të Kosovës dhe t’i ndjekin ato. Por, siç ka thënë dikur ish-kancelari gjerman Otto Von Bismarck, ‘politika është arti i të mundshmes’. Pra, shpresoj shumë se do të ketë një zgjidhje në përputhje me interesat e Kosovës dhe popullatës së saj, e cila do t’i përmbush pritjet e SHBA-së dhe BE-së”.

Po ashtu, ish-ambasadori i Kroacisë në Gjermani, pret që edhe Serbia të reflektoj, meqë sipas tij, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.

“Nëse Serbia është vërtet e vendosur dhe dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, do të duhet të përafrohet me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Ju mund të bëheni anëtar i një unioni vetëm duke pranuar rregullat e tij”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore