Shqipëria

Intervistë e Albanian Post me Maria Roces Gonzalez, gjurmët e Kadaresë dhe Enver Hoxhës në historinë e albanologes nga Asturia


Maria Roces Gonzalez, ose “Maria, shqiptarja” siç preferojnë ta quajnë në viset e saj spanjolle mbetet një dëshmi e gjallë dhe e vyer kulturore brenda jetës politike të periudhës së ish-diktaturës në Shqipëri.

E ajo nuk mbart ndrojtje në shqipen e saj letrare të përshtatur përbri mendimit në gjuhën mëmë.

“Në vendin tim unë jam ‘María, shqiptarja’, doja apo s’doja (edhe punëtori që më rregullon ngrohjen më thërret kështu)”, vëren ajo në një intervistë për Albanian Post.

Ambasadorët Manuel Montobbio dhe Anila Bitri Lani më kanë dhënë prej kohësh titullin “albanologe”, ndërsa gazetarët, historianët, udhëtarët, kolegët dhe bashkatdhetarët e tjerë më marrin si “Fjalori enciklopedik shqiptar”, që më detyron të sillem e të veproj si “albanologe” me zor, shton Roces.

Autorja nuk ngurron të zbulojë se është e vetmja përkthyese letrare nga shqipja në spanjisht dhe dëshmitarja e Shqipërisë së Enver Hoxhës.

“Si shpërblim, kur jam në Shqipëri e konsideroj veten një korçare të vërtetë dhe aq më tepër drenovare”, thekson Roces në intervistën e saj.

Nga njohja me librin e parë shqip të Ismail Kadaresë, “Dimri i vetmisë së madhe”, e deri te vetëvrasja e Mehmet Shehut që tronditi spanjollët në Shqipëri me praninë e oficerëve të Sigurimit të Shtetit.

Maria Roces Gonzalez sjell me freskinë e kohës dhe ngrohtësinë e kuptimeve mes kulturave, gjeninë e letrave shqipe sipas saj dhe mbresat e udhëtimit gjatë vitit të kaluar në Shqipëri.

Intervista e plotë:

Si u ndjetë kur u kthyet para disa muajsh në Shqipëri dhe si i ruani raportet mes kujtimeve me Tiranën dhe ndryshimeve jo vetëm me qytetin por edhe me gjuhën e folur e cila ka ndryshuar bashkë me kohën?

Asnjëherë nuk më kanë interesuar ndryshimet sipërfaqësore, as në urbanistikë (spekulim në troje dhe spekulatoret kanë pushtuar Tiranën dhe bregdetin shqiptar, ndërkohë që lagjet i kanë lënë pas dore autoritetet, dhe mbeten krejtësisht të braktisura), as nuk jam interesuar për gjuhën burokratike dhe anglicizmat e përdodura nga politikanët dhe mediat; “njerëzit e mi”, “shqiptarët e mi”, “Shqipëria ime” janë ende aty dhe i njoh menjëherë.

Sapo dëgjoj të flitet shqip në aeroportin Madrid-Barajas, tani që ka fluturime direkte Madrid-Rinas, kthehem në “Shqipërinë time”, dhe po ashtu shoh që fëmijët në kopshte vokalizojnë dhe vazhdojnë të flasin shqipen delikate e të shijshme të kujtimeve të mia; dhe gratë, veçanërisht gratë, vazhdojnë të përdorin shprehjet e shqipes së vërtetë të njerëzve të mirë. Nga ana tjetër, shqipja ime është letrare dhe nuk mund të kem ankesa për të, këtë kam mundur ta verifikoj në nëntor në panairin e librit.

Nëse do të veçoje një autor mes atyre të cilëve ke përkthyer në gjuhën spanjole, kë do të zgjidhje si ndoshta më të preferuarin (Kadare, Kongoli, Shehu, Dokle etj.) dhe pse?

Ndër ata që ju citoni dhe unë kam përkthyer, nuk kam autorë të preferuar, por më tepër vepra, dhe sigurisht një marrëdhënie të ndryshme me secilin prej tyre si autorë. Kadare “është i familjes”, Ramón Sánchez Lizarralde dhe unë kemi dyzet vjet me Kadarenë, dhe në librin e tij të fundit të përkthyer nga unë, “Kur sunduesit grinden”, pata përshtypjen se jo vetëm më ftoi në studion e tij, por edhe më la të futem në obsesionet e tij letrare.

Shkrimtarët e mëdhenj nuk janë të vështirë për t’u përkthyer (tjetër gjë është se ata kërkojnë më shumë dokumentacion dhe kërkime dhe punë sistematike), të vështirë për t’u përkthyer janë shkrimtarët mediokër dhe të këqij, dhe të katërt që citon janë të shkëlqyer dhe i pari, për më tepër, gjenial, i madh. Tani, nëse më duhet të nxjerr në pah kryeveprat e letërsisë shqipe, është e qartë për mua: Kangë kreshnikësh të eposit legjendar shqiptar dhe baladat. Përrallat popullore shqiptare (të cilat i botova në vitin 2022) gjithashtu nuk zhvlerësohen fare, ato janë absolutisht madhështore.

Libri i parë i cili keni lexuar është “Dimri i madh” ose “Dimri i vetmisë së madhe”, që është dhe libri më i kontestuar i Kadaresë për lidhjet me Enver Hoxhën duke i përshkruar gjërat siç do donte ish-diktatori komunist. Si i kujtoni mbresat prej veprës që portretizon një moment kyç në historinë tonë?

“Dimri i madh” u përkthye nga, shoku dhe miku ynë i dashur Jesús Hernández (i cili zëvendësoi Ramón Sánchez Lizarralde në shtëpinë botuese 8 Nëntori) e bëri në kthimin e tij në Spanjë dhe ishte libri i parë që lexova në shqip.

Dimri i vetmisë së madhe është një nga romanet më të mira të Kadaresë, një kryevepër e vërtetë dhe, si e tillë, është vlerësuar nga kritika letrare botërore. Personazhi i Enver Hoxhës është thelbësor në një epope si ky (si shumë diktatorë të tjerë që shfaqen si personazhe në veprat e shquara letrare në spanjisht) dhe kush beson se Dimri i vetmisë së madhë është shkruar me diktimin e Enverit apo të Nexhmije Hoxhës nuk e di asnjë fjalë për ligjet e brendshme të letërsisë, dhe kur, për më tepër, autorit ajo vepër i kushtoi shtrenjtë.

Nga ana tjetër, ndërhyrja e Enver Hoxhës në konferencën e 81 partive dhe shkëputja e Shqipërisë me Bashkimi Sovjetik janë momente historike legjendare, ngjajnë luftën e Davidit kundër Goliath-it dhe meritojnë letërsinë e tyre, të cilën mund ta bëjë vetëm një i madh si Kadareja.

A mund të kujtoni diçka (qoftë ngjarje, ndodhi, përvojë) që nuk e keni ndarë me publikun shqiptar lidhur me periudhën e diktaturës komuniste, referuar Sigurimit duke qenë se ky debat u rikthye në vëmendje para pak kohësh me përfshirjen e figurave aktuale të politikës në dosjet e ish-Sigurimit.

Në Bunkart2 në Tiranë, herën e parë që shkova, pashë një urdhër, nuk mbaj mend se nga kush, që tregonte se “miqtë” nuk duhet të përgjoheshin” (gjoja “miq” ishin shokët marksistë-leninistët e huaj). Mirëpo, shokët spanjollë, pas “vetëvrasjes” së Mehmet Shehut (besuam se ishte grusht shteti kur dëgjuam zhurmën e tankeve në rrugën e Elbasanit), për të folur për këtë dhe për çështje të tjera zbritëm në bodrumin e vilës ose kur dilnim për një shëtitje në rrugë.

Dhe, të paktën, ne identifikuam dy nga gjoja “punëtorët” të grupit të vilave gjermane si anëtarë të Sigurimit: gruaja e caktuar në vilën e brazilianëve dhe burri i që u paraqit si marangoz, i paaftë për të bërë raftet që kisha kërkuar, dhe që, megjithatë, çuditërisht u shfaq në një pritje në Pallati i Brigadave, ku na priti Enver Hoxha dhe ne, spanjollët, përshëndetëm për herë të fundit anëtarin e brigadës ndërkombëtare Mehmet Shehun më pak se një muaj përpara vdekjes së tij.

Ishte evidente që bëheshin raporte për ne “miqtë”, kolegët tanë nuk mund të na vizitonin në shtëpi dhe as ne mund të shkonim te të tyret pa leje shumë, shumë të veçantë; se gjërat tona kontrolloheshin, Jesús Hernández gjithashtu e përjetoi një ditë kur ai mbërriti në shtëpi më herët se zakonisht.

Megjithatë, problemi më i rëndë ishte për shokët turq dhe iranianë, me stafin dhe spiunët e ambasadave të vendeve të tyre (diktaturat). Spanja dhe Shqipëria nuk kishin marrëdhënie diplomatike deri në vitin 1986, kështu që megjithëse Ramón Sánchez Lizarralde dhe unë ishim klandestinë në Shqipëri, në këtë drejtim ne kishim frikë vetëm nga informacioni që ambasadat me seli në Shqipëri mund t’i transmetonin policisë spanjolle për ne.

Kur përmendim Asturias-in, si kanë qëndruar lidhjet me kulturën shqiptare dhe a ka ende interes për letërsinë shqipe, apo ruhet vetëm një nostalgji për autorët klasikë të lartpërmendur?

Kur Ramón Sánchez Lizarralde filloi t’i përkushtohej letërsisë në vitin 1987, tradita e përkthimit të shqipes në spanjisht praktikisht nuk ekzistonte (përveçse një versioni të tmerrshëm kubanez të viteve gjashtëdhjetë të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur dhe një tjetri nga francezët i Kështjellës), përveçse shkrimeve të mangëta propagandistike të Shtëpise Botuese “8 Nëntori”, në hartimin e te cilave Ramoni bashkëpunoi për gati katër vjet.

Megjithatë, ekzistonte asokohe tradita relativisht e konsoliduar e përkthimeve nga spanjishtja në shqip, e cila në atë kohë përfshinte disa nga veprat më të mëdha të letërsisë spanjolle.
Kështu, njohja në Spanjë dhe Amerikën Latine e letërsisë shqipe në spanjisht dhe e përkthyer drejtpërdrejt nga shqipja është shumë e re, vetëm 35 vjet më parë.

E njëjta gjë mund të thuhet për letërsinë bashkëkohore të të ashtuquajturve vende të Lindjes, në kritikën letrare të së cilës u specializua Ramón Sánchez Lizarralde. Në vitin 2009, Ismail Kadare fitoi çmimin Princi i Asturias për Letërsinë (në versionin e Ramón Sánchez Lizarralde) dhe vepra e tij në Spanjë dhe, rrjedhimisht, në Asturias, pati një ndikim shumë më të madh.

Në vitin 2022, u prit mirë si në Spanjë ashtu edhe në Asturias edhe “E Bukura e Dheut”, përralla popullore shqiptare mbledhë prej gojëdhënave të popullit. Të 106 përrallat që gjenden në antologji kanë qenë të pabotuara në spanjisht, me përjashtim të dhjetë tregimeve që Lizarralde botoi në 2004 (Mirënjohja e të vdekurit ) dhe që përfshihen edhe tek E bukura e dheut.

I fundit nga romanet shqiptarë të botuar në fund të vitit 2022 nga një botues nga Málaga, “Vajzat e mjegulles” e Namik Dokle, pëlqehet nga lexuesit asturianë, sepse kultura dhe zakonet fshatare të Gorës së Kukësit nuk janë shumë larg të tyret. Në mars 2023, ky roman do të promovohet në Madrid (në Instituto Cervantes), Fuenlabrada, Málaga dhe Oviedo, dhe është pritur shumë mirë nga kritika.

Si ndiheni kur iu referohen si albanologe, është titull që iu kënaq profesionalisht në karrierën tuaj jo vetëm si përkthyese apo e mbartni me krenari në vendin ku jetoni?

Në vendin tim unë jam “María, shqiptarja”, doja apo s’doja (edhe punëtori që më rregullon ngrohjen më thërret kështu). Dhe mbi të gjitha, ambasadorët Manuel Montobbio dhe Anila Bitri Lani më kanë dhënë prej kohësh titullin “albanologe”, ndërsa gazetarët, historianët, udhëtarët, kolegët dhe bashkatdhetarët e tjerë më marrin si “Fjalori enciklopedik shqiptar”, që më detyron të sillem e të veproj si “albanologe” me zor.

Unë, për fat të keq dhe për momentin, jam e vetmja përkthyese letrare nga shqipja në spanjisht dhe jam gjithashtu dëshmitare e Shqipërisë së Enver Hoxhës (në rënien e saj përfundimtare patetike dhe delirante, që u shkaktoi aq shumë mjerim dhe vuajtje shqiptarëve) që kjo është arsyeja pse gazetarët dhe historianët përfundojnë duke gjetur Marian shqiptare dhe ajo u jep dëshmi ose përkthen materiale nga më të ndryshmet.

Si shpërblim, kur jam në Shqipëri e konsideroj veten një korçare të vërtetë dhe aq më tepër drenovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore