Shqipëria

Inflacioni i brendshëm mbetet dominues në rritjen e çmimeve, sipas BSH-së


Presionet e brendshme inflacioniste po ngadalësohen.

Mirëpo, vijojnë të jenë dominuese në formimin e inflacionit total.

Referuar Raportit të Politikës Monetare të Bankës së Shqipërisë, kontributi i ekonomisë së brendshme ishte mbizotërues në normën totale të inflacionit edhe për tremujorin e dytë të vitit.

Nga 2.1% që ishte inflacioni mesatar, 1.9% ishte kontributi i inflacionit të brendshëm.

Presionet e brendshme inflacioniste – sipas Bankës së Shqipërisë – ruajtën qëndrueshmërinë e tyre, në pasqyrim të rritjes së kërkesës për mallra e shërbime dhe të kostove të punës për njësi.

Përbërësi i importuar i inflacionit e ka zvogëluar sakaq më tej kontributin në formimin e inflacionit total në tremujorin e dytë të vitit.

Sipas raportit, ekonomia shqiptare është karakterizuar nga vijimi i ecurisë pozitive të aktivitetit ekonomik në gjysmën e parë të vitit, ndërsa rënia e inflacionit u përshpejtua në tremujorin e dytë të vitit.

Inflacioni ra në nivelin mesatar 2.1%, nga 2.7% në tremujorin e parë.

Rënia u diktua nga rënia e inflacionit të artikujve ushqimorë, e cila pasqyroi ecurinë e ngjashme të këtyre çmimeve në tregjet rajonale.

Ndonëse u dominua nga kjo kategori, Monitor vë në dukje se rënia e inflacionit në tremujorin e dytë u vërejt te një bazë më e gjerë çmimesh, midis tyre dhe çmimet e disa shërbimeve.

Presionet e përgjithshme inflacioniste janë reduktuar, të ndihmuara nga rënia e inflacionit në partnerët tregtarë, mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë dy viteve të fundit.

Ngadalësimi i inflacionit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024 ishte me bazë të gjerë, por rënien më të fortë e përjetuan komponentët afatshkurtër dhe të importuar të inflacionit.

Përbërësit afatshkurtër dhe me origjinë të huaj të inflacionit u ngadalësuan ndjeshëm, duke u luhatur rreth vlerave të ulëta historike. Inflacioni jo bazë dhe ai i importuar shënuan përkatësisht vlerat 1.7% dhe 1.3%, në tremujorin e dytë, duke zbritur me 0.8 dhe 1 pikë përqindjeje nga vlerat përkatëse të një tremujori më parë.

Rënia e inflacionit të ushqimeve në tregjet e huaja dhe të vendit, si edhe efektet e mbiçmimit të monedhës vendase, u pasqyruan në ngadalësimin e inflacionit të këtyre komponentëve. Inflacioni bazë dhe i brendshëm, gjithashtu u pakësuan, por duke ruajtur rolin mbizotërues në formimin e inflacionit total.

Inflacioni bazë, inflacioni bazë neto dhe ai i brendshëm shënuan përkatësisht vlerat 2.3%, 2.7% dhe 2.3% në këtë tremujor, duke u pakësuar thuajse me të njëjtin hap (0.5 pikë përqindjeje), nga vlerat përkatëse të tremujorit të mëparshëm, vijon Monitor.

Edhe pse në rënie, komponentët më të qëndrueshëm të inflacionit mbetën në vlera më të larta se inflacioni total i tremujorit.

Inflacioni bazë neto ndërkohë vijoi të qëndrojë lehtësisht mbi mesataren e tre viteve të fundit, në pasqyrim të qëndrueshmërisë më të fortë të inflacionit të shërbimeve dhe të mallrave të tjerë me afat të gjatë përdorimi.

Inflacioni bazë mbetet pranë niveleve më të ulëta të tre viteve të fundit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore