Kosova

Përfaqësuesit e Shoqatës “Evropa Nostra” takohen me komandantin e KFOR-it, flasin për ruajtjen e Manastirit të Deçanit


Përfaqësuesit e Shoqatës “Evropa Nostra” janë takuar me komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari dhe kanë biseduar për ruajtën e Manastirit të Deçanit.

Kjo shoqatë ka njoftuar përmes një postimi në Twitter se Manastiri i Deçanit është përfshirë në listën e tyre të shtatë monumenteve kulturore dhe historike më të rrezikuara në Evropë.

“Falënderimi më i madh për komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ferenc Kajari, për pritjen e delegacionit tonë në mënyrë që të kemi një shkëmbim të frytshëm të mendimeve për nevojën e ruajtjes së nivelit të lartë të mbrojtjes së Manastirit të Deçanit, i cili është në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik, i cili është përfshirë edhe në listën tonë të shtatë monumenteve kulturore dhe historike më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021”, kanë shkruar kjo shoqatë.

 

Në muajin prill të vitit 2021, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe kryeministri Albin Kurti i kishin dërguar “Europa Nostra-s” një letër në të cilën jepen një varg argumentesh sipas të cilave Manastiri i Deçanit nuk përmbush kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë momunemteve të rrezikuara”.

Në këtë letër thuhej se “në sulmet e pretenduara ndaj manastirit, gjuha e përdorur nga nominuesi është e pasaktë, duke qenë siç thuhet, edhe tendencioze dhe e papranueshme”, thuhet në letrën e Osmanit dhe Kurtit.

“Termi ‘ekstremistët lokalë’ është cilësim i ekzagjeruar qëllimshëm, ndërsa sulmi i pretenduar nga organizata terroriste ISIS është totalisht i pabazuar në fakte”.

“Kjo gjuhë na bën të besojmë se teksti i nominimit nuk ka ndjekur linjë profesionale të argumentimit, dhe ka devijuar në përmbajtje me ngarkesa politike dhe propaganduese. Dëshmia më e mirë është mungesa e burimeve të besueshme mbi të cilat bazohen këto konstatime tendencioze”, thuhet në letër.

Megjithatë, “Europa Nostra” e ka futur Manastirin e Deçanit në mesin e shtatëve monumenteve më të rrezikuara të trashëgimisë.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për zona të veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore