Kosova

Kurti s’do të kërkojë garanci për ish-krerët e UÇK-së: Ata e kanë mbrojtjen, s’është shteti në gjyq


Albin Kurti, kryeministër i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një konferencë për media se “Kosova nuk mund të ofrojë garanci për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerët që të mbrohen në liri”.

“Nuk është shteti në gjyq. Nuk më takon mua që të marr këso hapash. Do të ishte gabim për shtetin”. Problemi me çështjen e garancisë është që Kosova nuk është shtet i tretë. Në Gushtin e 2015 argumenti kryesor pse duhej të votohet amendamenti 24 e që ne e kundërshtuam, ka qenë që nëse nuk e bëjmë ne, do të bëhet gjykatë ndërkombëtare. Ne e kemi ditur që nuk ishte ashtu”, tha Kurti.

“Ne e kishim të qartë që kjo Gjykatë nuk do të ishte krejtësisht jashtë Kosovës, por një këmbë jashtë e një këmbë brenda. Prandaj jemi në këtë situatë te pafavorshme, kur Kosovës me vendimin e gushtit i pamundësohet”.

Kurti e ka ripërsëritur edhe njëherë që Kosova do të bëj padi ndaj Serbisë për gjenocid gjatë luftës së fundit, duke u shprehur i bindur që Serbia ka kryer gjenocid.

“Kemi filluar punën për ngritjen e padisë për Serbinë. Do t’iu njoftojmë për këto përgatitje. Janë përgatitje gjigante, dhe një rast i tillë nuk guxon të humbet. Ne jemi të bindur që Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, dhe kjo e meriton një padi. Dhe Qeveria e ka obligim ndaj historisë dhe ndaj ardhmërisë sonë”, ka shtuar Kurti.

Ai foli edhe për dialogun me Serbinë, por edhe për udhëtimin e tij të ardhshëm në Bruksel gjatë këtij muaji, duke thënë se “do të ketë një darkë pune me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borell më 18 maj”.

“Takimi I 11 majit s’mbahet, sepse takimet mbahen kur pajtohen të gjithë. E kemi lënë që takimi I tillë të mbahet në muajin qershor. Por besoj se ditë përpara asaj date, do të njoftoheni të gjithë”.

Kryeqeveritari shtoi se “sa i përket temave të diskutimit, do të jenë të tilla për të cilat pajtohen palët”.

“Do të bisedojmë edhe me partitë politike opozitare edhe në Kuvend ku jemi bashkë. Do të skanojmë edhe marrëveshjet e deritashme. Nuk jemi qeveri që zhvillon dialog me Serbinë, pa zhvilluar dialog në Kuvend”.

Ndërkaq për kthimin e masës së reciprocitetit, Kurti theksoi se i duhet kohë ta përgatisë një raport për shkeljet që po bën Serbia.

“Edhe herën e kaluar kur isha kryeministër, patën kaluar dy muaj deri kur e vendosëm reciprocitetin, dhe atë gradual. Ne nuk duam t’i befasojmë faktorët ndërkombëtarë, por t’i njoftojmë me kohë e ti përgatisim”, ka thënë Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore