Kurti për lirimin e Pantiç-it: Jam kureshtar ta di se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë, e cili gjyqtar e aprovon

Valon Rashiti
28.12.2022 12:36
Loading Icons...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar organet e drejtësisë pasi Gjykata Themelore e ka liruar në arrest shtëpiak ish policin serb të Kosovës, Dejan Pantiç, i akuzuar për sulme terroriste në Veri.

Unë nuk e di këtë çështjen gjyqësorë e procedurale të atij që është i pandehur dhe mbahet në Jarinje, pasi nuk mund të dërgohej në burg zyrtar. Ajo çfarë unë kam dëgjuar është se meqë ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemër do mund të dërgohej në spital, që është e kuptueshme. A është e arsyeshme e vendos gjyqësori”, tha Kurti gjatë një konference për media.

“Por kur ke një akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që e bënë këtë kërkesë e cili është ai gjyqtar që e aprovon”.

Ndërkaq ku është pyetur për largimin e barrikadave, ka theksuar se KFOR-i i ka kërkuar kohë, derisa ka potencuar se këtë mund ta bëjnë edhe Policia e Kosovës.

“Sa i përket barrikadave neve në javën e kaluar na është kërkuar nga KFOR-i që t’i japim më shumë kohë për heqjen e tyre dhe unë jam optimist për këtë”.

“Kemi parë vëmendje dhe angazhim të KFOR-it, por në të njëjtën kohë unë e ritheksoj që Qeveria i ka kapacitet për t’i hequr ato barrikada, të cilat nuk janë barrikada civile dhe prapa të cilave qëndrojnë njerëz të armatosur që janë problem më i madh se vet barrikadat”.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e ka konfirmuar për Albanain Post se Pantiç’it i është ndryshuar masa e sigurisë.

“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, ka thënë Gashi.

Që nga 10 dhjetori, disa serbë lokalë në Veri ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Veprimet e tyre u ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Të fundit

Aktuale