Kosova

Hovenier: SHBA-të duan bashkëpunim më të ngushtë me Kurtin – Kosovës i duhet mbështetja amerikane për t’i arritur synimet


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK) të enjten, deklaroi se administrata amerikane dëshiron të shohë bashkëpunim më të ngushtë me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, duke shtuar se veprimet e fundit në veri nuk u kontribuojnë synimeve amerikane për Kosovën.

“Nuk është kurrfarë sekreti se qeveria e SHBA-ve dëshiron të shohë në disa fusha bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e kryeministrit Kurti”, deklaroi ambasadori Hovenier, derisa përmendi “aksionin e paakoordinuar” të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, për të cilin diplomati amerikan theksoi se erdhi pas urdhrit të ministrit të Punëve të Brendshme.

“Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërisht të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, nën udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, [Xhelal Sveçla], kreu operacione në veri të Kosovës, në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata për stabilitetin dhe sigurinë”, potencoi tutje ambasadori Hovenier.

Autoritetet e Kosovës i mbyllën gjashtë objekte të “Bankës Kursimore të Postës” në katër komunat me shumicë serbe në veri – një lëvizje që shkaktoi një rrebesh kritikash nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare ndaj Qeverisë së Kosovës. Prandaj, ambasadori amerikan theksoi se “aksionet e paakoordinuar” minojnë mbështetjen e aletëve për integrimet euroatlantike.

“Ne duam ta shohim Kosovën përpara dhe pa marrë parasysh a pajtoheni me interpretimin tonë apo me interpretimin e qeverisë për këtë veprim, nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike, ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë – të institucioneve në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet. Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne”, shtoi ai.

Ndryshe, aksioni në veri u ndërmor pak ditë pas dështimit të takimit të shtatë për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme sa i përket dinarit. Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë u mbyllën për mbi tetë orë në një prej zyrave të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel të Belgjikës më 15 maj 2024 për t’i vazhduar negociatat, por që rezultuan pa marrëveshje kompromisi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore