Kosova

Hovenier i mirëpret peticionet për largimin e katër kryetarëve të komunave në Veri


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier, në një prononcim para gazetarëve ka thënë se i ka mirëpritur kërkesat e qytetarëve serbë për inicimin e peticioneveve për largimin e katër kryetarëve të komunave në Veri.

“Qytetarët gëzojnë të drejtën demokratike, nëse dëshirojnë të nisin një proces për largim të kryetarëve, janë disa kërkesa që të arrihet deri aty, mirëpo presim që pushteti qendror të bëjë gjithçka që mundet, jetë shumë fleksibil, në përputhje me ligjin, që të garantojë që qytetarët mund ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre”, tha Hovenier.

Ai ia theksuar se ShBA-ja e ka përsëritur se ndonëse katër kryetarët janë zgjedhur në mënyrë ligjore, “askush nuk duhet të jetë i kënaqur me zgjedhjet që kanë pasur dalje më pak se 4 për qind të numrit total të qytetarëve”.

Ditë më parë, qytetarët e katër komunave kanë nisur kërkesë te kryetarët e kuvendeve komunale – siç e parasheh udhëzimi – për largim të kryetarëve.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha për Albanian Post gjatë këtij muaji se ka refuzuar një kërkesë të qytetarëve të komunës “për shkak të arsyeve formale”.

Ai ka thënë se grupi i qytetarëve nuk ka vepruar në pajtim me udhëzimin administrativ dhe se ai nuk mundet “të veprojë dhe të konsiderojë apo të regjistrojë grupin si person të autorizuar”.

Çfarë konkretisht shkruan në Udhëzimin Administrativ?

Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion.

Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komunën përkatëse.

Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal – në komunën përkatëse – dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar.

Pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar.

Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që të mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për të përmbushur këtë kuotë.

Nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Votimi organizohet nga KQZ-ja.

Sipas Udhëzimit Administrativ në fjalë votimi për largimin nga detyra të një kryetari komune duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore