Kosova

Hoti për AP: Askush në perëndim s’i beson Kurtit, është fatkeqësi për popullin e Kosovës


Avdullah Hoti

Për Avdullah Hotin, ish-Kryeministër i Kosovës, nuk ka asnjë dilemë se pasuesin e tij Albin Kurti, askush në perëndim nuk e beson, derisa raportet aktuale të Qeverisë së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), të sjella në këtë nivel si rezultat i politikës së Kurtit, i konsideron si fatkeqësi për popullin kosovar.

Këto komente, Hoti i ka bërë në një intervistë të shkurtër për Albanian Post, duke komentuar vizitën e Kurtit në ShBA, ku ka marrë pjesë në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago, me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute), dhe mungesën e takimeve të nivelit të lartë.

Përgjatë mandatit qeverisës, Kurti është kritikuar mjaft shumë nga SHBA-të, posaçërisht sa i përket veprimeve në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – për shkak, siç kanë thënë zyrtarët e lartë amerikanë, moskoordinimit me ta.

“Është fatkeqësi për popullin e Kosovës se në çfarë niveli ka rënë komunikimi i Qeverisë së Kosovës me Shtëpinë e Bardhë”, ngrit shqetësimin deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Është e qartë, në prizmin e tij, se “me këtë politikë antiamerikane të Kurtit është dëmtuar dinamika e integrimit euro-atlantin të Kosovës”.

“Nuk dua të nënvlerësoj ftesën nga NDI për Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago. Por kryeministrat dhe presidentët e Kosovës gjithmonë janë trajtuar ndryshe nga administrata amerikane”, rikujton Hoti, i cili është njëri nga Kryeministrat e Kosovës që ka pasur takim në Shtëpinë e Bardhë me ish-Presidentin amerikan, Donald Trump.

Vendet perëndimore, përfshirë këtu SHBA-të dhe Bashkimin Evropian, kanë pasur kritika të ashpra – më shumë se kurrë më parë – ndaj Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Kurti, madje Unioni ka vendosur edhe masa ndëshkuese, të cilat vazhdojnë që të jenë aktive për më shumë se një vit.

Në këtë drejtim, edhe takimet e Kurtit me liderë apo zyrtarë të lartë të vendeve perëndimore kanë qenë më të pakta.

“Duket se nuk ka mbetur asnjë lider perëndimor që ende ka besim në Kurtin”, potencon Hoti, derisa analizon situatën kaotike në të cilën gjendet vendi nën drejtimin e pasuesit të tij.

“Duket se të gjithë e kanë kuptuar se nuk mund të mbështeten në të për realizim të planeve komplekse euro-integruese të Kosovës dhe rajonit”, shton.

Mirëpo, në vlerësimin e tij, kjo “është e kuptueshme”, pasi që konsideron se politikat e Kurtit “nuk kanë konsistencë, bëhen për interesa të brendshme politike dhe nuk i shërbejnë qëllimit të përbashkët të aleatëve për një Kosovë në fqinjësi të mirë, e hapur, demokratike, evropiane”.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, nga Çikago, duke folur për zgjedhjet e nëntorit në ShBA, Kurti e cilësoi ish-Presidentin dhe kandidatin aktual të Partisë Republikane për President të SHBA-ve Trump, si kandidat të “pazakontë”, duke u rreshtuar kështu në mbështetje të hapur për Kamala Harris-in e Demokratëve.

Por, sipas ish-kryeministrit, ndryshe nga Trump, gjatë mandatit të së cilit Kosova mori njohjen e fundit: atë nga Izraeli, e cila iu kumtua pikërisht Hotit në takimin që pati me Presidentin e 45-të të SHBA-ve, Kurti “është vet një kryeministër i pazakonshëm, jo në kuptimin e mirë të fjalës”.

“Ai po dëshmohet në praktikë se është një demagog i dëmshëm për popullin e tij. Kurti as majtist nuk është, në kuptimin e të majtës evropiane. Ai është një pjesëmarrës i rregullt i seminareve dogmatike që nuk kanë asnjë vizion karshi sfidave aktuale të demokracive perëndimore”, potencon ai.

Në politikën e jashtme, sipas Hotit, kryeministri ka bërë “vazhdimisht gabime që mund të konsiderohen të naive, por të cilat jam i bindur se nuk janë bërë pa qëllim”, derisa kujtoi edhe deklaratën e Kurtit ndaj Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe jo vetëm.

“Për të dhe njerëzit e tij, Sekretari i tanishëm i Shtetit (që është demokrat) është ‘naiv’, ndërkaq këshilltarët e presidentit aktual dhe presidentit të mëparshëm janë ‘proserb’”, rikujton.

Megjithatë, Hoti është i bindur se Kurti nuk ka problem me parti të caktuara ose president të caktuar, “por me ideologjinë e politikës amerikane”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore