Kosova

Haradinaj për vizitën e Shefit të CIA-s: Nder i madh e lajm i mirë për sigurinë


Ramush Haradinaj

Për Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), vizita e Shefit të Agjencisë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, në Kosovë, është “nder i madh për vendin dhe lajm i mirë për sigurinë tonë”.

“Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Institucionet e Kosovës, bëri thirrje ish-kryeministri, duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën.

“Takimet e drejtorit Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën”.

Ndërsa, sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, Haradinaj tha se “ia lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën”.

“Ajo është e përjetshme dhe jetike”, përfundoi ai.

Shefi i CIA-s ka qëndruar të enjten dhe të premten në Kosovë.

Fillimisht ka takuar Presidenten Vjosa Osmani, së bashku me Shefin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Petrit Ajeti.

Ndërsa, të premten është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Vizita në Kosovë e Shefit të CIA-s vjen në kuadër të “turneut ballkanik” të kësaj jave, ndonëse nuk janë dhënë fare detaje specifike rreth arsyes së vizitës.

Fillimisht, Burns vizitoi Bosnje e Hercegovinën më 20 gusht, ndërsa më 21 gusht, qëndroi në Serbi.

Për këto vizita nuk janë dhënë fare informacione zyrtare.

Osmani pas takimit me Shefin e CIA-s: Aleanca me SHBA-të, garancë për siguri, paqe dhe sukses

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore