Lajme

Haradinaj, Kurtit: O i mjerë, sytë e SHBA-ve e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja


Ramush Haradinaj

“Albin Kurti flet në emër të vetin e jo të Kosovës”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Këto komente, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i ka bërë në një postim në Facebook, pasi që kryeministri Kurti ka thënë se ai nuk pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin Serbinë me sytë e tij, por ka shtuar se as ata nuk duhet të presin që ai Beogradin ta shohë me sytë e tyre.

“Ai ka kohë që nuk e përfaqëson qëndrimin e këtij populli. Duhet të jesh shumë smirëzi të thuash ‘mos të presë Amerika që unë ta shoh Serbinë me sytë e saj’!”, shkroi Haradinaj.

Sytë e Amerikës, theksoi ish-kryeministri, “kanë qenë pilotët e saj që e kanë shpëtuar një popull nga zhdukja, o i mjerë!”.

Ndryshe, të shtunën, Kurti ka thënë se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin Serbinë siç ai e sheh, mirëpo ka shtuar se as ata nuk duhet të presin që ai Beogradin ta shohë me sytë e tyre.

Këto komente, Kurti i ka bërë në një intervistë për “Public Square”, që moderohet nga ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, derisa po fliste për marrëdhëniet me SHBA-të.

“Një gjë ua kam bërë të qartë të gjithëve: As nuk pres që ShBA-të ta shohin Beogradin zyrtar me sytë e Albin Kurtit, por as ata nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit Amerikan të Shtetit”, tha Kurti.

“Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik, unë njoh dhjetëra njerëz të cilët janë vrarë në lufte dhe i kam njohur gjallë dhe e di historinë mbi mesataren e serbëve dhe të shqipatrëve për raportet e kombit shqiptar në përgjithësi, me Serbinë si shtet në veçanti”, shtoi.

Ai theksoi se SHBA dhe Serbia kanë njohje reciproke, teksa shtoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

“SHBA-të janë dëshmitarë, nuk janë viktimë. Ne jemi viktima. Viktima dhe dëshmitari nuk janë e njëjta gjë”.

Prandaj, ai beson se Serbinë “e njoh më mirë”, dhe nuk mund ta ketë të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri, sikurse DASH.

“Kjo do të thotë që duhet të bashkëbisedojmë, marrëdhënia jonë duhet të jetë e aleatëve, miqve dhe partnerëve. Mirëpo, kjo nuk do të thotë jemi identikë”, beson.

Kurti shtoi se ambiciet e tij për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit.

“Ambiciet e mia për Kosovën dhe për kombin shqiptar janë më të mëdha se të Uashingtonit dhe të Brukselit”, potencoi ai, dhe vazhdoi “besoj që kjo është normale. Paramendoni sikur të ishte ndryshe”.

Kurti: S’pres që ShBA-të ta shohin Serbinë me sytë e mi, por as mos të presin që ta shoh Beogradin me sytë e DASH-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore