Kosova

Haradinaj: Kosova ka nevojë për më shumë vëmendje ndaj sportit dhe të rinjve tanë


Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka nevojë për më shumë vëmendje ndaj sportit dhe të rinjve.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që ka vizituar klubin futbollistik Llapi në Podujevë.

Ish-kryeministri potencoi se partia që ai e udhëheqë sportin e ka pasur gjithmonë prioritet, derisa përmendi mundësinë për zhvillim dhe stabilitet financiar të klubeve sportive që i ajnë dhënë përmes Ligjit për sponzorizim në sport, i miratuar në qeverisjen e tij.

“Jam i kënaqur që sot vizitova Klubin Futbollistik Llapi në Podujevë, i cili është një simbol i krenarisë dhe talentit. Që nga themelimi i tij në vitin 1932, KF Llapi ka qenë djepi i shumë futbollistëve të shkëlqyer, duke përfshirë legjendën e paharruar Fadil Vokrri”, shkroi Haradinaj.

Presidenti i Klubit Tahir Batatina, sipas kreut të AAK-së, “me punë të jashtëzakonshme ka ngritur klubin në nivele të larta profesionale, duke arritur pjesëmarrjen në garat evropiane”.

Kjo, në prizmin e tij, “tregon potencialin e madh që ka sporti ynë”.

Prandaj, ka vlerësuar se Kosova ka nevojë për më shumë vëmendje ndaj sportit dhe të rinjve.

“Prandaj, premtova se në çfarë do kapaciteti e përgjegjësie do të jemi unë e Aleanca në qeverinë e ardhshme, do të mbështesim kërkesat e tyre, përfshirë investimet në infrastrukturë, e pse jo, për ta shndërruar Podujevën në vend ku mund të mbahen edhe ndeshje ndërkombëtare”, pohoi ai ndër të tjera.

Tanimë që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin e 2025-së, si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, partitë politike, posaçërisht AAK-ja e Haradinajt, kanë filluar premtimet elektorale.

Më 19 gusht, teksa ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për keqqeverisje në katër vitet e fundit, Haradinaj në një konferencë për media të hënën, ka premtuar se nëse vjen në pushtet koalicioni AAK – Nisma, pas zgjedhjeve parlamentare, paga minimale në Kosovë do të jetë 1000 euro deri në fund të mandatit qeverisës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore