Kosova

Hagë: Gucati e Haradinaj sërish në gjykim


Ish krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj në Hagë

Edhe këtë të enjte pritet që të vazhdojë seanca ndaj ish krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Seanca pritet të nis në orën 09:30 deri në 16:00, njofton Gjykata Speciale nw Hagw.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, ish-nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, përpara trupit gjykues tha se gjatë luftës në Kosovë ka vrarë ushtarë e oficerë serbë, por jo aq sa ka dashur.

“Unë asnjëherë s’kam pas punë me civilë, kur jam ndeshur me ushtarë serbë, sa kam mundur i kam korrur, sa herë kam mujtë. Edhe e dinë saktë ata, sa herë kam mundur dhe ku kam nxënë ushtrinë e Slobodan Millosheviçit në Koshare e kam gjujtë”, është shprehur Haradinaj.

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj një ditë më parë ka kritikuar Specialen për mënyrën e trajtimit sa i përket vizitave të cilat u bëhen personave që janë në paraburgim në Hagë.

Haradinaj ka thënë se vizitën e Avokatit të Popullit të Kosovës e ka shënuar si vizitë familjare, ndërsa ka thënë se është detyruar të mos e pranojë në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë për shkak se i ka ardhur si kërkesë për vizitë familjare.

Para Dhomave të Specializuara në Hagë, Haradinaj ka thënë se vizitat që i bëhen nga zyrtarët e huaj atje shënohen si zyrtare, ndërsa ato nga Kosova, pavarësisht që mund të jenë nga institucionet e shtetit, quhen familjare.

“Vizita e Avokatit të Popullit tim, të shtetit tim që e pata këtu më është hequr koha si vizitë familjare, kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që është bërë këtu dhe jam i pari që e kam refuzuar dhe nuk jam takuar me ta, më ka ardhur si kërkesë familjare, ndërsa vizita e Avokatit të Popullit tuaj që ka ardhur nga Italia, ajo më është caktuar zyrtare dhe kjo është një prej barazive që ju e bëni”.

“Derisa avokati i popullit tim, shtetit të Kosovës e që ju po thirreni në emër të Kosovës dhe mua më heqni si familjar avokatin e popullit tim që vjen me më pa mua në burg dhe më detyroni mos ta pranoj Ministrinë e Drejtësisë të shtetit tim dhe i detyroni të më kërkojnë vizitë familjare, unë i kam injoruar, jo i kam injoruar ata si të shtetit tim, po u kam treguar që nuk i vet më kush, dhe këtë jeni duke e bërë edhe sot në vizitat tona”.

“Shpjego ti dhe kupto çfarë force ke marrë, sa avokatin tënd që e ke këtu ma ke pru mua ai më ka ardhur zyrtarisht, avokati i popullit tim, unë është dashur ta shkruaj si familjar dhe më është hequr koha e vizitës për sa kohë ka qëndruar Avokati i Popullit të Kosovës”, kishte deklaruar Haradinaj në seancë gjyqësore.

Këtë Haradinaj e ishte thënë derisa po merrej në pyetje nga prokurori në ditën e dytë të dëshmisë së tij në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore