Kosova

Hacker: Vonesa e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte goditje serioze për besueshmërinë e BE-së


Deputeti gjerman Thomas Hacker

Deputeti gjerman Thomas Hacker, raportues i Bundestagut për Ballkanin Perëndimor, duke folur për procesion e zgjerimit ka thënë se Bashkimit Evropian e ka humbur “besueshmërinë” për shkak të vonesave për liberalizim të vizave për Kosovën, derisa ka theksuar se shpreson që BE-ja të këtë mësuar nga “gabimet”.

“Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe vonesa në liberalizimin e vizave për Kosovën kontribuuan në një goditje serioze për besueshmërinë e BE-së në lidhje me procesin e saj të zgjerimit. Shpresoj shumë që Unioni të ketë mësuar nga gabimet e tij të së kaluarës”, tha Hacker në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”.

Hacker ka komentuar zhvillimet në rajon me theks të veçantë mbi turneun rajonal të drejtorit të CIA-s, Ëilliam Burns, në Sarajevë, Beograd e Prishtinë, por edhe marrëveshjen e Serbisë me bllokun perëndimor për litiumin dhe blerjen e aeroplanëve luftarakë nga Franca.

“Përpjekjet që synojnë të minojnë rendin kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës si dhe Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit nuk mund të mbeten pa u ndëshkuar. SHBA mori vendimin e duhur për të vendosur sanksione ndaj Milorad Dodikut dhe zyrtarëve të tjerë serbë. Marrëdhëniet mes Milorad Dodik-it dhe Aleksandër Vuçiçit nuk do t’i quaja miqësi, sepse është evidente se Dodik është larg asaj që të vlerësojë ndërhyrjen e vazhdueshme të Beogradit”, shtoi.

“I ashtuquajturi partneritet i litiumit me Serbinë është shumë më tepër se një marrëveshje ekonomike. Ajo gjithashtu ka pasoja të rëndësishme politike. Edhe para marrëveshjes, Gjermania dhe BE-ja akuzoheshin për qetësimin e Serbisë autokratike. Pra, dyshoj seriozisht se marrëveshja e litiumit, si dhe marrëveshja për Rafale midis Francës dhe Serbisë, do ta bëjnë Serbinë më demokratike”.

Duke komentuar tërthorazi ndikimin e Serbisë në zhvillimet e brendshme në Mal të Zi, dhe sjelljen pro-serbe e pro-ruse të disa forcave në ketë vend që janë në pushtet, ai ka tërhequr vërejtjen se këtë “duhet trajtuar me kujdesin maksimal”:

“Mali i Zi është shtet i pavarur dhe sovran. Çdo ndërhyrje nga jashtë ose ndërhyrje në punët e brendshme të Malit të Zi, me qëllim të minimit të rrugës së Malit të Zi drejt BE-së, përbën kërcënim dhe duhet të trajtohet me kujdesin maksimal”, potencoi Hacker.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore