Lajme

Gruhonjiç: Reagimi i Perëndimit ndaj terrorizmit të 24 shtatorit, shuplakë e rëndë për regjimin e Vuçiçit


Ilustrim

Dinko Gruhonjiç, kryetar i Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës, tha se reagimi i bashkësisë perëndimore ndaj sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në veri të Kosovës, ishte një “shuplakë e rëndë” për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tani është nën “dioptrinë e dyfishtë” të NATO-s.

Në një intervistë për “Autonomija” të hënën, ai theksoi se reagimi efektiv i autoriteteve të Kosovës ndaj përpjekjes së presidentit serb që të kryej një “aksion të shpejtë” në Kosovë, në bazë të modelit të presidentit rus, Vladimir Putin, në pushtimin e Ukrainës, mund të jetë dëshmi se autoritetet kosovare bashkëpunuan ngushtë me shërbimet e intelegjencës perëndimore.

Dinko Gruhonjiç

“Mënyra në të cilën autoritetet e Kosovës reaguan në mënyrë efektive ndaj përpjekjes së “little green men” të modeluar sipas aneksimit të Krimesë nga Putini, është dëshmi se autoritetet kosovare bashkëpunuan me shërbimet e inteligjencës perëndimore dhe ‘mashtruan’ Vuçiçin i cili besoi se ai mund të të kryejë një lloj ‘blitzkrieg’ në Kosovë”, nënvizoi Gruhonjiç.

Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – pranoi publikisht përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin e 24 shtatorit. Megjithatë, ai dhe të tjerët që janë përgjegjës për terrorizmin e vitit të kaluar në territorin kosovar nuk janë thirrur ende nga organet e drejtësisë në Serbi të japin përgjegjësi.

Në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Serbia që përgjegjësit për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti i vrarë togeri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, të sillen para drejtësisë, ndërsa për Radoiçiçin dhe disa persona tjerë, tashmë ekziston një fletarrest ndërkombëtar i lëshuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Policisë Kriminale (INTERPOL).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore