Kosova

Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqet në Veri


Një grafit ku shkruan “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shfaqur në oborrin e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut. Grafiti, i shkruar me shkronja cirilike, është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se për përmbajtjen e këtij grafiti, autoritetet e rendit janë informuar përmes rrjeteve sociale.

Ai tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po konsultohet me prokurorin për këtë rast.

Ndryshe, muajin e kaluar, në ndërtesën e një prej shtëpive kryesore të medias ruse, Rasija Sevodnja, dhe disa të tjerave në qendër të Moskës, janë shfaqur grafite me flamujt e Serbisë dhe Rusisë dhe mbishkrimin “Rusët dhe serbët vëllezër përgjithmonë”, si dhe “Kur të kthehet ushtria në Kosovë”.

Përveç Moskës, grafite të tilla janë parë edhe në Shën Petersburg, Yekaterinburg, Saratov, Tyumen dhe Orel.

Grafiti luftënxitës “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” ishte vizatuar para disa edhe pranë ish-kazermës ushtarake në Podgoricë, por është fshirë nga policia e Malit të Zi me kërkesën e kryetares së kryeqytetit malazez, Olivera Injaç.

Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge turbo-folk të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije, ndërsa këtë mesazh e kanë shfaqur para dy jave tifozët e klubit futbollistik “Crvena Zvezda (Ylli i Kuq)” në Beograd.

E njëjta është shfaqur më 2 gusht në Banja Llukë – qyteti i dytë më i madh në Bosnje-Hercegovinë dhe kryeqyteti politik i entitetit serb – afër rrugës kryesore që të çon në Prijedor, atje ku janë kryer disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës më 1992-1995.

Edhe në të kaluarën ka pasur mesazhe urrejtjeje tmerruese kundër shqiptarëve dhe Kosovës, ndërsa thirrjet nacionaliste dhe irredentise serbe sikurse ajo “Kosova është zemra e Serbisë” gjejnë ende mënyra për t’u shfaqur.

Koreografia luftënxitëse e shfaqur nga huliganët serbë të futbollit, ishte identike edhe me atë të shfaqur në shkurt të këtij viti në një park lojërash për fëmijë në qendër të Beogradit, saktësisht në muret e Institutit për Kimi, Teknologji dhe Metalurgji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore