Aplikacione

Google-i po përgatit chatbot-in e vet Bard pas suksesit të ChatGPT


Kompania Google po nxjerr chatbot-in e vet të inteligjencës artificiale të quajtur Bard.

Kjo pasi i përgjigjet suksesit të madh të ChatGPT të mbështetur nga kompania Microsoft.

Bard do t’u jepet testuesve specialistë të produkteve dhe më pas do të vihet më gjerësisht në dispozicion të publikut në javët e ardhshme.

Ngjashëm si ChatGPT, Bard mundësohet nga një i ashtuquajtur model i gjuhës, në rastin e Google-it të quajtur LaMDA.

Modelet e inteligjencës artificiale si LaMDA dhe ai që qëndron pas ChatGPT janë lloje të rrjeteve, të cilat imitojnë arkitekturën themelore të trurit në formë kompjuteri.

Ata ushqehen me sasi të mëdha teksti nga interneti në një proces që i mëson se si të gjenerojnë përgjigje ndaj kërkesave të bazuara në tekst.

Sakaq, ChatGPT është bërë sensacion pas publikimit të tij në nëntor, duke krijuar të gjitha llojet e përmbajtjeve të besueshme nga esetë akademike deri te poezitë dhe aplikimet për punë.

Sipas analistëve, ai tashmë ka arritur në 100 milionë përdorues.

Sundar Pichai, shefi ekzekutiv i Google-it, ka theksuar aftësinë e Bard për të dhënë përgjigje bazuar në informacionin e përditësuar.

Njoftimi i Google-it përmbante një shembull të tij duke iu përgjigjur një pyetjeje se si t’i shpjegonte zbulimet e reja të bëra nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s, si dhe të mësonte për sulmuesit më të mirë në futboll teksa merrte stërvitje për të imituar lojtarët më të mirë.

“Bard kërkon të kombinojë gjerësinë e njohurive të botës me fuqinë, inteligjencën dhe kreativitetin e modeleve tona të mëdha gjuhësore”, ka treguar Pichai.

“Ajo bazohet në informacione nga website-i për të ofruar përgjigje me cilësi të lartë”, ka shtuar ai.

Po ashtu Google-i ka bërë me dije se teknologjitë e tij më të fundit të inteligjencës artificiale do të integrohen në motorin e tij të kërkimit.

Sipas Pichai, veçoritë e reja të fuqizuara nga inteligjenca artificiale në motorin e tij të kërkimit do të distilonin informacione komplekse dhe perspektiva të shumta në formate të lehta për t’u kuptuar.

Kompania do ta bëjë gjithashtu teknologjinë pas LaMDA të disponueshme për zhvilluesit, krijuesit dhe bizneset, me synimin për të ndërtuar aplikacione të mundësuara nga teknologjia e inteligjencës artificiale të Google-it.

Ndërkaq, njoftimi i Google-it ka ardhur teksa Microsoft-i, një mbështetës kryesor i ChatGPT, përgatitet të nxjerrë më shumë produkte duke përdorur teknologjinë pas chatbot-it.

ChatGPT u zhvillua nga OpenAI me bazë në San Francisco, e cila kohët e fundit mori një investim shumë miliardë dollarësh nga Microsoft-i.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore