Shqipëria

Gjykata e Lartë do të marrë në shqyrtim kërkesën e Belerit më 25 korrik


Më 25 korrik, Gjykata e Lartë do të marrë në shqyrtim kërkesën e Fredi Belerit.

Ai kërkon ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, në të cilën ndodhet prej 12 majit kur u arrestua për akuzën e shitblerjes së votës.

Gjykatat e tjera e kanë rrëzuar në pesë raste kërkesën e tij për t’u liruar.

Për herë të parë kjo masë sigurie do të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë.

Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

Një person bashkëpunoi me policinë dhe prokurorinë e Vlorës për dokumentuar faktin e akuzës, ai u pajis me logjistikën e nevojshme, që nga regjistruesi.

Ai arriti të merrte shumën prej 40 mijë lekëve të reja në kërkim të tetë votave në favor të Belerit.

Sakaq, Beleri u shpall fitues në zgjedhjet për Bashkinë Himarë, por betimi i tij nuk u krye për të marrë detyrën.

Nga ana tjetër, arrestimi i tij ka ngjallur reagime nga pala greke, e cila kërkon me ngul lirimin e tij duke deklaruar se arrestimi ka lidhje politike.

Edhe eurodeputeti grek, Manolis Kefalogianis, njëherësh Kryetari i Komitetit të Përbashkët të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, i cili vizitoi dje qytetin e Himarës, ka kërkuar lirimin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore