Gjukanoviç nënshkruan Ligjin për Presidentin, por Lekiç’in s’do ta thërrasë për konsultime
Milo Gjukanoviç
Armat Matoshi
16.12.2022 17:46Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka nënshkruar të premten Ligjin e ndryshuar për Presidentin e Shtetit, i cili u votua për herë të dytë në Kuvend të hënën e 12 dhjetorit, por s’do ta thërras Miodrag Lekiç’in, mandatar për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi nga “Fronti Demokratik”.
Këtë e ka bërë të ditur Gjukanoviç në një konferencë për media, sepse siç theksoi ai, nuk ka dashur të bëjë atë që bëri shumica parlamentare – ta shkelë Kushtetutën.
“Është përmbushur obligimi kushtetues, pavarësisht se shumica parlamentare ka vepruar në mënyrë antikushtetuese. Unë nuk do të bashkohem me ata që e shkatërrojnë Kushtetutën dhe nuk do të marr pjesë në të”.
“Përgjegjësinë për zbatimin e këtij ligji do ta mbajnë ata që e kanë miratuar atë”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një tjetër problem madhor, të cilin Mali i Zi nuk po arrin ta zgjidhë tash e një kohë të gjatë.
Gjukanoviç potencoi se se pozita dhe opozita duhet të pajtohen për zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese sepse mandati i Kuvendit mund të shkurtohet.
“Unë iu drejtova Komisionit të Venecias për një mendim, duke pasur parasysh se për shkak të paaftësisë së Kuvendit, Gjykata Kushtetuese mbeti pa kuorum. Komisioni i Venecias dha një qëndrim të qartë dhe rekomandoi që ligji të mos miratohej deri sa Gjykata Kushtetuese është funksionale”.
Ndryshe, shumica parlamentare, me votat e 41 deputetëve, miratoi për herë të dytë ndryshimet në Ligjin për Presidentin, pavarësisht opinionit të Komisionit të Venecias, i cili kërkoi që ligji të mos miratohej.
Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” duan që presidenti malazez të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.
Një mesazh i ngjashëm është dërguar në Malin e Zi edhe nga shumë diplomatë të tjerë nga komuniteti ndërkombëtarë, të cilët nuk e kanë fshehur shqetësimin për krizën politike, por edhe për pasojat që një ligj i tillë, mund të ketë rrugën evropiane të Malit të Zi.
Pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk arritën tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar gjykatën.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.