Kosova

Gjenerali i NATO-s: Prezenca e shtuar e KFOR-it në Kosovë e nevojshme, dialogu s’po përparon


Ralf Hammerstein

Gjenerali gjerman i NATO-s, Ralf Hammerstein, në një intervistë për mediumin gjerman “Die Welt”, ka thënë se më shumë ushtarë do të nevojiten në të ardhmen në Kosovë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin, meqë sipas tij, situata në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë e brishtë dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk po përparon ashtu siç është pritur.

“Më shumë ushtarë do të nevojiten sërish në të ardhmen. Para së gjithash, duhet thënë se KFOR-i nga 50 mijë ushtarë u reduktua në një prani minimale prej 4.500 ushtarësh. Por, është e vërtetë: normalizimi ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk po përparon aq sa kishim shpresuar të gjithë”, tha Hammerstein.

Ai ka shtuar se të gjitha shtete në Ballkanin Perëndimor dhe pothuajse të gjitha qeveritë po ndjekin një kurs nacionalist.

“Për sa kohë që idetë si Serbia e Madhe apo Shqipëria e Madhe thuhen – dhe këto nuk janë narrativa nga asnjë ekstremist – asnjë kufi nuk do të mund të ekzistojë në mirëbesim”, ka shtuar Hammerstein.

Gjenerali gjerman ka theksuar se Prishtina dhe Beogradi ndjekin një politikë të sovranitetit dhe reciprocitetit maksimal, derisa ka shtuar se “kjo pastaj çon në konflikte të tilla si mosmarrëveshja e targave në nëntor të vitit të kaluar”.

Ndërsa për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, Hammerstein ka potencuar se mund të supozohet se ka pasur njëfarë bashkëpunimi nga ana e Serbisë.

“Në çdo rast, ato ishin forca paraushtarake, duke pasur parasysh madhësinë e supozuar të grupit dhe pajisjet dhe armët e sekuestruara që ishin me origjinë serbe. Mund të supozohet se ka pasur të paktën njëfarë bashkëpunimi nga ana e Serbisë”, ka shpjeguar ai.

Hammerstein ka theksuar se gjatë muajit shtator, Gjermania vuri re se një grumbullim trupash prej rreth 4000 ushtarësh serbë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

“KFOR-i është për të parandaluar më të keqen. Ekziston vetëm një zgjidhje politike për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas një rezolute të OKB-së, NATO duhet të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të mbështesë zhvillimin e një republike të qëndrueshme, demokratike, multietnike dhe paqësore të Kosovës”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore