Lajme

Gërvalla ‘shkurt’ me Blinkenin: Kosova dhe SHBA-ja kanë lidhje të thella


Donika Gervalla dhe Antony Blinken

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, të enjten ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken dhe kryediplomaten kanadeze, Melanie Joly, ndërsa në njoftimin e saj në platformën “X”, ka shkruar se “lidhja e thellë” mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) është shfaqur në “shkëmbimin e shkurtër por thelbësor”.

“Si gjithmonë, lidhja e thellë midis Kosovës dhe SHBA-së u shfaq në shkëmbimin tonë të shkurtër por thelbësor. Faleminderit për besimin dhe sinqeritetin”, ka shkruar kryediplomatja kosovare, e cila mbahet mend për deklaratën e saj se Bashkimi Evropian (BE) është vetëm një “tigër prej letre” në aspektin e sigurisë pa SHBA-të dhe aleancën ushtarake të NATO-s.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mërkurën ka takuar shefin e Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), në kuadër të javës së nivelit të lartë të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që po mbahet këtë javë në Nju Jork, ku ka pasur një dyzinë takimesh të rëndësishme.

“Diskutim i rëndësishëm me Sekretarin Blinken për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët. Lidhja me SHBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme”, ka shkruar shkurt presidentja Osmani mbi fotografinë e publikuar në rrjetet sociale.

Në këtë drejtim, duhet të kujtojmë gjuhën aspak diplomatike të kreut të ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, ndaj sekretarit Blinken, të cilin e ka quajtur “naiv”, kurse deklaratat e tij për situatën në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnike “të gabuara”, “lënduese” dhe “të padrejta”, duke acaruar kështu marrëdhëniet me aleatët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore