Kosova

Gërvalla: Bashkëpunimi Kosovë-SHBA-Kroaci, shtyllë kyçe për paqen në Evropën Juglindore


Jeff Hovenier, Natalie Reyes dhe Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se bashkëpunimi strategjik mes Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kroacisë përbën një shtyllë kyçe për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore.

Këto komente, kryediplomatja kosovare i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas takimit që ka pasur me ambasadoren e SHBA-ve në Kroaci, Natalie Reyes.

“Në takimin miqësor me ambasadoren e SHBA-së në Kroaci, znj. Natalie Reyes, diskutuam arritjet e rëndësishme të Kosovës në demokratizim, zhvillim dhe rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik”, shkroi Gërvalla.

Pjesë e këtij takimi, siç dëshmohet në pamjet e publikuara nga shefja e diplomacisë kosovare, ka qenë edhe ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Ndryshe, së fundmi SHBA-të kanë kritikuar ashpër qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti, posaçërisht sa i përket veprimeve të ndërmarra në Veri të vendit.

Madje, zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit kanë thënë hapur se raportet me qeverinë nuk janë në nivel të duhur, kjo për shkak të veprimeve, siç i quajnë ata, të njëanshme që ekzekutivi i ka ndërmarrë në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore