Shqipëria

Gërdeci/ Mediu kërkon ekspertim për shpërthimin, SHBA-të letërporosi për pyetjen e 5 amerikanëve


Këtë të mërkurë të 24 prillit ka përfunduar seanca në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, sa i takon dosjes së Gërdecit.

Mediu përpara mediave deklaroi se ka kërkuar ekspertim për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të Gërdecit.

“Kërkuam ekspertim për shkakun e shpërthimit në Gërdec, është interes i shqiptarëve të marrin vesh pse ka ndodhur ngjarja në Gërdec. Ekspertët amerikanë dhe Prokuroria kanë thënë që shkaqet janë të pamjaftueshme”, tha ai.

Ndërkaq, sipas informacioneve paraprake Shtetet e Bashkuara kanë dërguar letërporosi, sipas së cilave kërkohet marrja në pyetje e pesë shtetasve amerikanë.

Vetë Mediu u shpreh se parapëlqen marrjen në pyetje në një diskutim interaktiv.

“Do të konsultohemi me avokatët për qëndrimin e SHBA-ve. Ne kërkuam diskutim interaktiv jo të ecet me letërporosi”.

Dëshmitë

Luan Hoxha ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një kabllogram që Ambasada Amerikane në Tiranë i ka dërguar Departamentit të Shtetit, në 20 qershor 2009, shkruhet se Hoxha ishte ankuar se Shkëlzen Berisha i kishte bërë presion që të dorëzonte municion të kalibrit të lartë në Gërdec dhe pa vonesa.

Kabllogrami u publikua nga Wikileaks.

Më herët – në seancën e fundit të janarit – Mediu, u shpreh se të gjithë duhet të thonë të vërtetën për çështjen.

Ai shtoi se shpresonte që të gjithë të flisnin, ndërsa shtoi se ka edhe dëshmitarë që heshtin.

“Ky proces tregon se ministri i Mbrojtjes s’ka bërë asgjë tjetër veçse ka zbatuar ligjin. Nuk e di nëse do dëshmojë Luan Hoxha, shpresoj që të gjithë të vijnë të dëshmojnë dhe të flasin. Në interes të zbardhjes së vërtetës të mbajë qëndrimin e vetë siç e mendon dhe si ka vepruar”, u shpreh Mediu.

Ndërkaq, Shkëlzen Madani, ish-drejtor i shërbimeve mbështetëse në ministrinë e Mbrojtjes dëshmoi këtë seancë duke thënë se “Gërdeci u përcaktua nga palët dhe se transporti është përballuar nga privati”.

“Shkresa me siglimin për Shkëlzen Berishën u kalua në drejtorinë juridike”.

Ndërtimi i situatës

Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Më 10 janar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.

Kjo pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhet me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore