
Një balenë beluga (balena e bardhë) është parë në lumin Seine të Francës dhe zyrtarët tani po vendosin se si ta shpëtojnë atë.
Ata thonë se aktualisht është pranë Vernon, rreth 70 kilometër në veri-perëndim të Parisit.
Anëtarëve të publikut u kërkohet të qëndrojnë larg balenës që duket se është nën peshë.
Ekspertët janë në mëdyshje se pse balena është larguar kaq shumë në jug nga habitati i saj natyror.
“Sfida tani do të jetë të ndihmojmë për ta ushqyer atë dhe të përpiqemi ta shoqërojmë drejt oqeanit”, tha Lamya Essemlali, kryetarja e grupit mjedisor Sea Shepherd France, i cituar nga agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ajo tha se nxjerrja e kafshës nga uji nuk mund të bëhej fjalë pasi ishte shumë e rrezikshme.
Janë shfaqur foto që tregojnë balenën duke notuar ngadalë në lumë.
Zyrtarët nuk kanë raportuar për madhësinë e kafshës, por një beluga mund të rritet në më shumë se katër metra në gjatësi.
Në vitin 2019, një balenë e ngordhur u gjet në lumin Thames pranë Gravesend, thanë zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar.
Kjo erdhi vetëm disa javë pasi një balenë gunga e parë duke notuar në të njëjtën zonë uji kishte ngordhur. Mendohej se kishte gjetur rrugën e saj në Thames për shkak të një gabimi lundrimi, ndoshta gjatë baticave të mëdha.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com