Kosova

FOTO/Cilët janë të arrestuarit për terrorizëm në Kosovë të cilëve u gjetën materie eksplozive?


Policia e Kosovës

Pesë persona janë arrestuar si të dyshuar për terrorizëm të dielën në Kosovë, derisa ky arrestim ka ardhur pas një hetimi disa mujorë dhe zbatimit të masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se gjatë bastisjes janë gjetur materie eksplozive, armë të zjarrta dron, si dhe armë anti-tankë.

“Gjithashtu, ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit persona kanë kryer veprat penale ‘Përgatitja e veprave Terroriste ose veprave penale kundër rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës’ lidhur me veprën penale ‘Kryerja e veprës terroriste’ si dhe veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, thuhet në njoftim.

Por, ky organ i akuzës, nuk ka treguar as inicialet e personave të prangosur të dielën nga Policia.

Megjithëkëtë, Albanian Post merr vesh se të arrestuarit janë Adrian Gjuraj, Orhan Kelmendi nga Peja, Mentor Beqava nga Prizreni dhe Nehrudin Skenderi.

Orhan Kelmendi para dhe Adrian Gjuraj mbrapa

Albanian Post ka siguruar edhe fotot e tre personave të lartpërmendur.

Adrian Gjuraj

Gjuraj, dyshohet se është njëri nga personat kryesorë të cilët merren me propagandën e ekstremizmit islamist në Pejë.

Sipas informacioneve brenda organeve të rendit që ka AP, Gjuraj ishte arrestuar më 12 dhjetor 2015 në Gaziantep të Turqisë duke shkuar për në Turqi, dhe ishte akuzuar për vepra që lidhen me terrorizëm.

Në anën tjetër, Drejtori për Siguri në Institutin për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, thotë për AP se Gjuraj ishte shpallur fajtor më 12 shkurt të vitit 2018, ku ishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim.

“Gjykata e Apelit më 7 prill të vitit 2018 e kishte liruar nga akuza Ardian Gjurajn, i akuzuar për vepra penale që lidhen me terrorizëm. Pasi apeli e liroi nga akuzat për terrorizën, Ardian Gjuraj e ndërroi mbiemrin në Qerkinaj”, tha Elezi.

“Sipas aktakuzës, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS”.

“Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015. Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës, Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë. Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.

“Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë”, shtoi Elezi.

Adriani u dëbua nga Turqia për në Kosovë dhe u dënua po ashtu me 1 vit e 5 muaj burgim.

“Adriani dyshohet se ishte radikalizuar në Gjermani dhe në Kosovë kishte ardhur me qëllim për të zhvilluar aktivitete të ( Davetit Islam ) si dhe të bashkohej me të tjerë për të shkuar në luftën e Sirisë. Ardian Gjurajn, më vonë Gjykata e Apelit, e ka liruar nga akuzat për terrorizëm, një vendim që të lenë për të dëshiruar.”

Vërejtje: Teksti është redaktuar pasi është publikuar, meqë fotoja e publikuar me emrin e Nehrudin Skenderit ishte vendosur gabimisht, pasi fotografia ishte e një personi tjetër me ermin Halil Skenderi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore