Shqipëria

Forcimi i gjyqësorit është investimi më i mirë për të ardhmen e Shqipërisë, thotë Gonzato


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, zhvilloi këtë të hënë të 29 prillit një takim me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani, dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.

Gonzato në takime theksoi se forcimi i mëtejshëm i gjyqësorit shqiptar mbetet investimi më i mirë për të ardhmen e vendit në BE.

“Pas takimit me dy figura kyçe, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Artur Metani dhe kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, jam edhe më i bindur për këtë”, shkroi ai në një reagim në mediat sociale.

Gonzato bërë me dije se me Metanin diskutoi nevojën për të ruajtur pavarësinë e gjyqësorit duke siguruar ruajtjen e përgjegjshmërisë.

Ndërsa me kreun e Gjykatës së Lartë ambasadori foli për kushtet e punës në të gjitha nivelet e gjykatave dhe mbi nevojën për mbështetje për të përmirësuar menaxhimin dhe infrastrukturën e tyre.

Disa ditë më parë Gonzato zhvilloi një takim me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ku ka theksuar edhe mbështetjen e plotë për institucionin më të lartë të drejtësisë në vend.

Gjatë takimit, Zaçaj ndau me Ambasadorin përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës për të forcuar efektivitetin e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj.

Ambasadori Gonzato, duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike dhe shoqërinë civile për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shprehu angazhimin për mbështetjen e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit si një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Nga ana e saj, Zaçaj u ndal te disa prej arritjeve më kryesore të kësaj periudhe si hartimi i Udhërrëfyesit të parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, transmetimi i seancave gjyqësore në live stream, përmirësimi i komunikimit të Gjykatës me median dhe publikun nëpërmjet organizimit të konferencave për shtyp pas vendimmarrjeve më të rëndësishme etj.

Ndërkaq, Gonzato ka theksuar se një sistem drejtësie i përgjegjshëm dhe efikas, i cili e afron Shqipërinë akoma më shumë me Bashkimin Evropian është përpjekje kombëtare.

Ai i ka kujtuar edhe një herë strukturave shtetërore dhe politikës se duhet të kryejnë detyrat e shtëpisë, duke përmendur luftën kundër korrupsionit, si edhe vijimin e reformave, posaçërisht atë të drejtësisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore