Shqipëria

Forcat e Armatosura ndihmojnë në shuarjen e zjarrit në Urën Vajgurore


Efektivët e Forcave të Armatosura në bashkëpunim me forcat zjarrfikëse të Qarkut Berat dhe forcat policore, kanë përfunduar me sukses operacionin për shuarjen e zjarrit që përfshiu afërsi të fshatit Skrevan në Urën Vajgurore, Bashkia Dimal.

Zjarri përfshiu një sipërfaqe rreth 20 hektarë shkurre e bimësi të mesme, ndërsa në operacion u përfshinë 20 efektivë të Forcave të Armatorsura, 37 zjarrfikës, 20 efektivë policie, si dhe shtatë mjete zjarrëfikëse.

Paraprakisht dyshohet se shkak për rënien e zjarrit është bërë këputja e një linje të tensionit të lartë por pas rreth 8 orëve, situata u normalizua.

Angazhimi i strukturave të Forcave të Armatosura do të vijojë deri në përmirësimin e situatës së krijuar nga zjarret në të gjithë vendin.

“Forcat e Armatosura, përveç sigurimit dhe mbajtjes së gatishmërisë së kapaciteteve të nevojshme operacionale për ruajtjen dhe mbrojtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit në bashkëveprim NATO, dhe përmbushjen e detyrave në kuadër të Aleancës, kanë objektiv të rëndësishëm edhe mbështetjen e popullsisë në përballimin e fatkeqësive natyrore e misionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve jane pjesë e kësaj përgjegjësie”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore