Lajme

Firmoset në Tiranë marrëveshja mes UBT-së dhe BOKU-t të Vjenës


Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) ka nënshkruar këtë të martë të 28 majit marrëveshjen me Universitetin BOKU të Vjenës.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, në fjalën e tij gjatë ceremonisë theksoi që synimi është që UBT të jetë atraktiv edhe për studentët e rajonit.

Sipas Ramës bëhet fjalë për 16 milionë euro investim.

“Janë rreth 16 milion euro të dhëna drejtpërdrejtë UBT-së pa llogaritur konviktet e rindërtuara. Ky nuk është një program i qeverisë për të mbajtur me hatër një rektor demokrat. Është një program i qeverisë për ta shndërruar këtë Universitet në një qendër ekselence, për një rrezatim në treg dhe me influencë rajonale”.

Sakaq, Rama vlerëson rolin e rektorit të Universitetit të BOKU-t në këtë histori dhe fton pedagogët të përfshihen.

Qëllimi kryesor i marrëveshjes është reformimi i thellë i UBT-së, në mënyrë që ai të përafrohet brenda vitit 2030 me BOKU dhe universitetet homologe europiane në të tre kolonat e misionit të tij: programet e studimit, kërkimin shkencor dhe transferimin e njohurive.

Marrëveshja e sotme vjen si rezultat i nënshkrimit të një tjetër marrëveshjeje në muajin prill të këtij viti në Austri, mes Ministrisë së Arsimit e Sportit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe ministrive homologe austriake për “Zbatimin e Strategjisë UBT 2030”, – e cila autorizon dy universitetet përkatëse që të dakordësojnë një marrëveshje specifike bashkëpunimi për implementimin e këtij projekti për katër vitet e ardhshme.

Universiteti Bujqësor i Tiranës do të shndërrohet në një Qendër Ekselence Rajonale, me synimin final që në fund të këtij bashkëpunimi katër vjeçar të ketë diploma dyfishe dhe programe të përbashkëta të njehsuara me BOKU në Vjenë.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm Kryeministri Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, Koordinatori i Projektit Z. Hubert Hasenauer, rektorët e UBT dhe BOKU përkatësisht z. Fatbardh Sallaku dhe znj Eva Schulev-Steindl, si dhe pedagogë, studentë, specialistë të arsimit, etj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore