Kosova

Familja e Abaz Beqirajt s’ka asnjë informatë për arrestimin e kosovarit në Serbi


Avokati i familjes Beqiraj, Arianit Koci, ka thënë se kjo familje nuk ka asnjë informatë për arsyet e arrestimit të Abaz Beqirajt të dielën në Serbi.

“Abaz Beqiraj, dje është arrestuar nga policia serbe në kufirin Hungari-Serbi. Familja e Beqirajt, nuk e ka asnjë informatë për arsyet e arrestimit. MPJ e Kosovës, po ashtu, nuk ka arritur të siguroj asnjë informatë për rastin”, ka shkruar Koci në Facebook.

“Familja, deri tani, është dashur përmes rrugëve zyrtare, së paku ta kuptoj arsyen e arrestimit, nga zyrja e jonë në Beograd”.

Ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme vetëm sa ka dalë me një reagim  për shtetasin e Republikës së Kosovës i cili është arrestuar në kufirin Serbi-Hungari për shkaqe ende të pasqaruara.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është informuar nga mediat që sot, në kufirin Hungari-Serbi, autoritetet serbe mund të kenë ndaluar një qytetar të Republikës Kosovës”, shkruan ata në një deklaratë në Facebook.

Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd ka vendosur tashmë kontaktin me autoritetet serbe në përpjekje për të sqaruar rrethanat, tha kjo ministri, teksa tha se për informata të mëtutjeshme do të ofrojnë detaje në vazhdim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore