Kosova

Escobar: SHBA-të do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në veri, pavarësisht bojkotit të serbëve


Gabriel Esobar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, pavarësisht bojkotit të serbëve, ka thënë të mërkurën emisari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, tha se fakti që disa parti politike – në këtë rast Lista Serbe – kanë vendosur t’i bojkotojnë zgjedhjet, nuk do të thotë se ato nuk kanë legjitimitet, ndërsa njoftoi se SHBA-të do t’i njohin rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

“I kam bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne i kuptojmë shumë gjëra që ata i shohin si problematike, por sigurisht që duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Nëse ata nuk do të jenë pjesëmarrës, kjo nuk do të thotë se ne nuk i mbështesim zgjedhjet”.

“Qeveria e Kosovës e ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet. Shpresojmë që serbët të kthehen në një moment [në institucionet e Kosovës]”, tha Escobar, ndërsa shtoi se pret që Kosova dhe Serbia të ofrojnë një kornizë kohore për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Po ashtu, ai theksoi se SHBA-të janë në pritje edhe të propozimeve fillestare për formimin e Asociacionit të Komuanve me shumicë serbe në Kosovë, madje vlerësoi se tash është koha e fundit të formohet ky mekanizëm për serbët e Kosovës.

“Ne presim propozime fillestare për formimin e Asociacionit, por presim gjithashtu një afat kohor për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo do të thotë se të gjitha palët duhet të vijnë të përgatitura”, deklaroi ndër të tjera top-diplomati amerikan.

Lidhur me deklaratën e tij të mëparshme se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të formohet “me ose pa kryeministrin Albin Kurti”, ai sqaroi se ky organ është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit dhe Marrëveshjes së Ohrit, rrjedhimisht është diçka që patjetër do të ndodhë.

“Pyetja e vetme është se deri ku dëshiron të pranojë Qeveria e Kosovës, pra të përqafojë obligimet ekzistuese dhe të vazhdojë tutje. Unë thashë se jam i gatshëm të ndihmoj në dialog për ta bërë këtë një fitore të favorshme për të dyja palët”, nënvizoi ai.

Escobar theksoi se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen në mënyrë që të gjithë njerëzit të jetojnë në një shoqëri paqësore dhe demokratike, ndërsa sqaroi se djegia e automjeteve dhe kërcënimet nuk vijnë nga shqiptarët, por nga vetë serbët.

“Djegia e automjeteve, pasurisë së paluajtshme dhe kërcënimet ndaj njerëzve që duan të integrohen nuk vijnë nga shqiptarët etnikë, por nga serbët, kështu që mendoj se kërcënimet ndaj komunitetit serb në Kosovë duhet të ndalen nga të gjitha anët”, tha Escobar.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, janë shpallur për 23 prill, pasi Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve – në mënyrë të organizuar ka dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Zgjedhjet në veri, për katër kryetarë komunash dhe dy asamble komunale, janë vlerësuar nga njohësit e çështjeve politike si problematike në aspektin e prodhimit të të zgjedhurve legjitimë dhe të pranueshëm për serbët lokalë, nëse përqindja e qytetarëve në zgjedhje është e vogël.

Qeveria e Kosovës, përkundër telasheve, ka vendosur të vazhdojë me organizimin e zgjedhjeve edhe pse Albanian Post ka kuptuar nga burimet që kryeministri Albin Kurti, ka qenë i interesuar që të shtyhen sërish, siç ndodhi në dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore