Kosova

Escobar: Retorika nxitëse vë në rrezik jetët e qytetarëve


Gabriel Escobar

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet.

Ai theksoi se shprehjet nxitëse që çojnë në dhunë, rrezikojnë drejtëpërdrejtë jetët e qytetarëve të rëndomtë si dhe forcave paqeruajtëse që janë të pranishme në terren.

“Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin. Veprimet dhe retorika që rrisin mundësinë për dhunë, vënë në rrezik të panevojshëm jetët e pafajshme dhe ato të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare që janë në terren”.

Escobar shprehu edhe njëherë shqetësimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian, se zhvillimet e fundit vënë në rrezik edhe progresin e rëndësishëm të arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të demonstrojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim për të qetësuar situatën”.

Diplomati amerikan nënvizoi se palët duhet të dyfishojnë përpjekjet e tyre për dialog, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve që tashmë i kanë nënshkruar, që nënkupton edhe fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Gjithashtu, duke folur për propozimin franko-gjerman, ai deklaroi se në detajet e “kornizës së re” për normalizim të raporteve, të përfshihet edhe publiku.

Por, sipas tij, përfshirja e qytetarëve duhet të ndodhë pas diskutimeve mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

“Ne e mbështesim fuqishëm: Mendoj se pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut”.

Për shkak se integrimi evropian është aspirata e të dyja vendeve, Escobar theksoi se ky proces natyrisht duhet të drejtohet nga BE-ja.

“Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ngushtë me BE-në, me të dyja palët dhe partnerët evropianë, në mbështetje të plotë të këtij procesi”.

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në mënyrë aktive në mbështetjen e përpjekjeve të BE-së për të menaxhuar situatën aktuale”, shtoi ai.

Ndryshe, BE-ja ftoi një ditë më parë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç’in, për një takim në Bruksel.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç’it, me shumë gjasë do të mbahet nesër, pra të dielën e 20 nëntorit.

Kjo, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për situatën në Veriun e Kosovës, të cilën zyrtarët evropianë kanë cilësuar më të rrezikshmen që nga viti 2013.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore