Kosova

Escobar: Qe 140 vjet kemi marrëdhënie të fortë me Serbinë, përveç kohës së Millosheviç-it


Gabriel Escobar dhe Aleksandër Vuçiç

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore, ka folur edhe për raportet e ShBA-së me Serbinë.

“Për sa i përket marrëdhënieve tona me Serbinë, për më shumë se 140 vjet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një marrëdhënie të fortë me Serbinë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ishte një marrëdhënie shumë pozitive me përjashtim të viteve të sundimit të Millosheviç-it. Pra, kjo ishte periudha e vetme në të cilën SHBA dhe Serbia nuk ishin miq të ngushtë”, tha Escobar.

Tash sipas diplomatit amerikan, “dera për rivendosjen e kësaj marrëdhënieje është e hapur” dhe në të njëjtën kohë, “marrëdhënia jonë me Serbinë nuk duhet të rrezikojë askënd tjetër”.

“Ne vazhdojmë të kemi partneritete të forta strategjike me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dhe ne duam të njëjtat marrëdhënie me Kosovën dhe Bosnjë e Hercegovinën. Prandaj, ne dëshirojmë që Serbia të akomodohet më fort në komunitetin e miqve që ka SHBA-ja në Evropë”, shtoi ai.

Ai thotë se është optimist kur bëhet fjalë për hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, derisa thekson se të rinjtë në rajon kanë të njëjtin entuziazëm.

“Ballkani Perëndimor kur të integrohet plotësisht në Evropë do të jetë një nxitës i prosperitetit ekonomik, një nxitës i rritjes së vendeve të punës dhe unë jam ende shumë entuziast për këtë. Sfida tani është nëse liderët e rajonit e shohin gjithashtu këtë mundësi, apo nëse ata do të mbeten të ngulitur në mendësinë e tyre aktuale të rivalitetit etnik dhe krizës politike në baza të përhershme”.

I pyetur se si e sheh Serbinë në vitet 2025-2030, Escobar thotë se “nëse ShBA-të do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030 i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Evropian”.

“Unë shoh një të ardhme shumë pozitive për Serbinë dhe për rajonin në tërësi. Ne do të mbetemi shumë të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport, madje edhe turizëm”, potencoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore