Kosova

Emisarët perëndimorë erdhën me pritje konkrete, largohen pa përgjigje


Ilustrim/Albanian Post

Në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe gjetjen e një rruge drejt një “marrëveshjeje finale” në bazë të propozimit franko-gjerman e në frymën e kompromisit, në Kosovë dhe në Serbi të premten zbarkuan një ushtri diplomatësh, të cilët nuk siguruan asnjë zotim konkret, sidomos nga kryeministri Albin Kurti.

Miroslav Lajçak nga Bashkimi Evropian, Gabriel Escobar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jens Plotner nga Gjermania, Emmanuel Bonne nga Franca dhe Francesco Talo nga Italia takuan Kurtin dhe Aleksandër Vuçiç-in, jo më për të prezantuar përmbajtjen, por përfundimisht për të kërkuar përgjigjen dhe për të vazhduar tutje.

Gjuha që Lajçak e ka përdorur, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, është shumë më e ndryshme sesa ajo që e ka përdorur, pas takimit me presidentin e Serbisë, duke përçuar mesazhin se përgjigja e Kurtit nuk ka qenë krejt në linjë me pritjet e tyre konkrete, kurse Vuçiç ka treguar gatishmëri të bëjë kompromise dhe koncesione në kuadër të dialogut.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të negociatave dhe kemi një takim në Beograd dhe s’mund të them shumë, por në këtë pikë kemi pritur kuptueshmëri më të madhe të kësaj mundësie që vjen me ofertën tonë”, tha Lajçak para gazetarëve në Prishtinë.

“Patëm bisedë intensive, të vështirë, por edhe të hapur. Presidenti Vuçiç tregoi një qasje të përgjegjshme dhe vullnet për të marrë vendime të vështira në interes të paqes dhe perspektivës evropiane për Serbinë”, tha Lajçak para gazetarëve në Beograd.

Për ish-diplomatin Enver Hoxhaj, mënyra e komunikimit dhe gjuha diplomatike e përdorur nga Lajçak tregon se në njërën anë, partnerët strategjikë të Kosovës kanë pasur pritje konkrete nga momentumi i krijuar për marrëveshje mes palëve, kurse në anën tjetër, duket se Kurti, për dallim nga Vuçiç, nuk ka bërë ndonjë zotim serioz dhe përkushtim ndaj dialogut.

Enver Hoxhaj

“SHBA, Franca, Gjermania, Italia së bashku me BE-në kanë qenë grupi i shteteve vendimmarrëse për Kosovën dhe lindja e Kosovës si shtet i pavarur nuk do të ndodhte pa përkrahjen e tyre, por edhe e ardhmja euroatlantike e Kosovës varet direkt nga ta, sikurse anëtarësimi në organizata evropiane e më gjerë”, tha Hoxhaj në një prononcim për Albanian Post.

Madje, si një diplomat me përvojë, Hoxhaj jep edhe një shembull tipik dhe kompleks në marrëdhëniet ndërkombëtare në tentimin për ta zbërthyer gjuhën dhe vlerësimin e diplomatit sllovak pas takimeve disa orëshe me aktorët vendimmarrës të të dyja vendeve.

“Për më shumë, nëse një delegacion i lartë amerikan, gjerman, francez dhe italian do ta vizitonte Kinën, edhe kjo si ekonomia e dytë në botë dhe fuqi aziatike, do ta mendonte se si mos t’i kthente ata duarbosh, pa një zotim konkret”, shpjegoi Hoxhaj.

Vështirësia nuk është nëse palët duhet të angazhohen në dialog, por si ta bëjnë këtë, veçanërisht kur çështjet kanë të bëjnë me probleme tejet komplekse, pjesërisht për shkak të historisë dhe pjesërisht për shkak të një politike armiqësore që ndjek ende Serbia ndaj Kosovës.

Prandaj, thotë ish-ministri i Punëve të Jashtme, në një periudhë të re në arkitekturën gjeopolitike, vetëm në bashkëpunim me aleatët perëndimorë pala kosovare mund ta përmbyllë shtetësinë me anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në këtë kontekst të ri, dialogu duhet t’i shërbej Kosovës dhe jo Serbisë.

“Për më shumë pse i duhet zotit Kurti besimi i madh qytetar dhe legjitimitetit politik me pozitën e Kryeministrit nëse ai ka frikë, nuk ka guxim, vullnet dhe rezon shtetëror për të mbyllur tema të mëdha sikurse marrëveshja për njohje të ndërsjellët ne mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi ai.

Ndërkaq, në vorbullën e shumë zhvillimeve të muajve të fundit muri i pakalueshëm është një: Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i ratifikuar në Kuvend më 2013, që njihet si Marrëveshja e Parë e cila ka ende fuqinë ligjore të një Marrëveshjeje Ndërkombëtare.

Moszbatimi i kësaj Marrëveshjeje Ndërkombëtare e vë Kosovën nën presion, në një kohë të papërshtatshme, kur edhe SHBA-të dhe BE-ja po kërkojnë zbatimin e saj siç është rënë dakord – ndoshta një çmim që Kosova duhet të paguajë për njohjen de-facto nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore