Kosova

Ekspertët: Pa e kërkuar edhe Beogradi s’mund të fillojë hetim ndërkombëtar në Serbi për sulmin terrorist


Rezoluta e Kuvendit të Kosovës përmes së cilës kërkohet hetim ndërkombëtar në Serbi për sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit, po vlerësohet si nismë e qëlluar, por për profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, një hetim i tillë mund të bëhet vetëm me kërkesën e dy palëve, pra Kosovës dhe Serbisë.

“OKB përmes Këshillit të Sigurimit mund të urdhërojë një hetim të tillë, por Rusia nuk do të lejonte. Atëherë mbetet që vetë Kosova në bashkëpunim me partneret tjerë si ShBA dhe BE të angazhojë ekspertë të njohur të fushës për të hetuar rastin në tërësinë e tij. Sulmi ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe Kosova është tërësisht e autorizuar që të bëjë hetime në këtë drejtim”, tha Rrecaj për Albanian Post.

Besfort Rrecaj

Rrecaj thotë se një komision me ekspertë të huaj dhe me një shtytje nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës ndaj Serbisë për bashkëpunim në mbledhjen e provave do të ishte mënyra e përshtatshme në këto rrethana.

“Prania e eksperteve të njohur do të ndihmonte si në analizimin e situatës ashtu edhe në pritshmërinë e perceptimeve të çfarëdo rezultati. Unë mendoj që në një situatë të krijuar si kjo dhe për të pasur një vlerësim që do të konsiderohej ndërkombëtarisht si i besueshme, do të ishte mirë që të niset një hetim ndërkombëtar për të dhënë një vlerësim objektiv dhe profesional për atë se si erdhi deri te ndërhyrja ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues kundër Kosovës”, potencoi Rrecaj.

Ndërkaq sipas avokatit Mentor Beqiri, lidhur me hetimet ndërkombëtare për çështje të caktuara, nuk ka një rregullativ të posaçme ligjore, por se një gjë e tillë zakonisht ndodh kur palët e përfshira pajtohen se mënyra e vetme për zbardhjen e situatës është një hetim i pavarur ndërkombëtar.

“Për të ardhur deri tek një hetim i tillë, duhet pajtim i shtetit në territorin e të cilit do zhvillohet hetimi, për shkak se kompetencë territoriale kanë vetëm organet ligjzbatues lokale të secilit shtet”, theksoi Beqiri për AP.

Por, Beqiri potencon se në rastin e sulmit terrorist në Banjskë me 24 Shtator, vështirë se shteti serb do japë pëlqim për hetim ndërkombëtar, “marrë parasysh se territori serb është një pjesë e rëndësishme për të ndërmarrë hetime”.

Mentor Beqiri

Më 28 shtator, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar një rezolutë e cila e dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe përmend nevojën e një hetimi ndërkombëtar për Serbinë dhe rolin e saj në këtë sulm.

Krimineli dhe terroristi Milan Radojiçiç, e ka marr përgjegjësin se ka udhëhequr grupin terrorist që u futë i armatosur rëndë nga Serbia në Kosovë.

Radojiçiç të martën është arrestuar nga Drejtoria e Policisë Kriminale në Serbi, dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se po e presin vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të kërkuar zyrtarisht fletë-arrest ndërkombëtar për të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore