Aplikacione

Dy senatore amerikane propozojnë projektligjin për të trajtuar varësinë nga mediat sociale


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy senatore kanë prezantuar një projektligj që synon të adresojë varësinë ndaj platformave të mediave sociale si Facebook ose Twitter.

Senatoret amerikane janë demokratja Amy Klobuchar dhe republikania Cynthia Lummis, tregon agjencia e lajmeve “Reuters”.

Lëvizja vjen pasi vitin e kaluar, denoncuesja Frances Haugen e Facebook-ut, bëri bujë të madhe me dokumente që tregonin se filiali i Instagram-it ishte i dëmshëm për adoleshentët.

Kjo teksa edhe të tjerë kanë pretenduar se platformat e mediave sociale përhapin keqinformime të rrezikshme për coronavirus-in dhe vaksinat për ta parandaluar atë.

Lidhur me projektligjin, Fondacioni Kombëtar i Shkencës dhe Akademia Kombëtare e Shkencave, Inxhinierisë dhe Mjekësisë do të bëjnë një studim mbi ndërhyrjet e mundshme që mediat sociale mund të përdorin për të adresuar problemet e varësisë.

Kështu ka bërë me dije zyra e senatores Klobuchar në një njoftim.

Sipas “Reuters”, Komisioni Federal i Tregtisë do të krijojë rregulla bazuar në gjetje dhe do t’i mbajë përgjegjëse platformat nëse nuk i respektojnë ato.

“E dimë se platformat e mediave sociale kanë vënë në mënyrë të përsëritur fitimet mbi njerëzit, me algoritme që shtyjnë përmbajtje të rrezikshme që lidh përdoruesit dhe përhap keqinformime”, ka thënë Klobuchar.

Gjithashtu ka ravijëzuar se projektligji i propozuar do të ndihmojë në adresimin e këtyre praktikave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore