Kosova

Dy gazetarë nga Ukraina arrijnë në Kosovë


Gazetarët ukrainas Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh janë gazetarët e radhës që kanë arritur në Kosovë.

“Këtë të diel në mëngjes, kanë mbërritur në Kosovë, Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko, si pjesë e programit “Journalists in Residence – Kosovo”. Ata janë vendosur në Prishtinë, dhe do të kenë mundësinë që të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë nga Kosova”, ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Sipas njoftimit, gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës.

“Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Iniciativa e Gazetarëve”, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev”.

Gazetarët janë pritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues të MPB-së.

Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ofron mjete të qerasë për banesë, pagesë mujore dhe sigurim shëndetësor për 20 gazetarët që pritet të mbërrijnë në Kosovë në javët në vazhdim.

Lyudmila Makey, ishte gazetarja e parë nga Ukraina që kishte ardhur në Kosovë, të dielën e 17 prillit.

Mekay, deklaroi se është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë, duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë  21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.

“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vijë në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, tha ajo.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka 40 trupa që shërbejnë si paqeruajtës në vend nën një mision të NATO-s.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para me 24 shkurti.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e po ashtu edhe Kosova, janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore